Hetime ndaj ekskavatoristit që përplasi një grua në vendkalimin për këmbësorë

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka njoftuar se është lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion sipas Nenit 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1, transmeton Portalb.mk.

Siç njofton prokuroria, i dyshuari, 42-vjeçari nga Shkupi, të shtunën në rrugën “Jordan Mijalkov” në kryeqytet, ka vozitur me makinë mobile – ekskavator “Liebherr” pa respektuar rregullat e komunikacionit publik dhe me këtë ka rrezikuar jetën e njerëzve.

Në një vendkalim për këmbësorë, i dyshuari me makinë ka goditur trupin e një gruaje-këmbësore, e cila nga goditja ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë.

“Menjëherë pas ngjarjes, prokurori publik ka kryer këqyrje në vendngjarje dhe ka lëshuar disa urdhra për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit rrugor. Një pjesë e urdhrave janë ende në procesim”, thonë nga Prokuroria Publike.

Nga aty shtojnë se për të dyshuarin është dhënë propozim për caktimin e masave paraprake – ndalim për dalje nga vendbanimi, obligim që herë pas here të lajmërohet te zyrtari i caktuar apo organi kompetent shtetëror, konfiskimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe patentë shoferit, si dhe ndalim të përkohshëm për ndërmarrjen e disa veprimtarive të punës që kanë të bëjnë me veprën penale.