Hekurudhat në RMV: Mbi gjysmë shekulli pa investime, trenat lëvizin me 10 km/h

Hekurudhat në Maqedoninë e Veriut janë të vjetra më shumë se gjysmë shekulli, me shina të vendosura që në vitet 60, trena që lëvizin me 10 km/h dhe një rënie dramatike të numrit të të punësuarve që kjo tregon thellësinë e viteve të neglizhencës. Këtë e ka thënë mes tjerash drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Sinishaa Ivanovski në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, transmeton Portalb.mk.  

Sipas Ivanovskit, qytetarët po i largohen këtij lloj transporti për shkak se nuk është efikas. 

“Hekurudhat janë në gjendje të mjerueshme. Shpesh dëgjojmë se një tren lëviz me 10 kilometra në orë, me 20 kilometra në orë, madje edhe ai që lëviz me 10 kilometra në orë ka vetëm që të ketë trenat aty. Këto janë disa segmente të veçanta në të gjithë vendin”, tha Ivanovski. 

Ai sqaroi se aktualisht po bëjnëdisa riparime në pjesë të hekurudhave, ku duke hequr shinat e vjetra, shohin se ato janë vendosur në vitin 1963 ose 1969, që do të thotë se janë mbi 55 vjet të vjetra.  

“Kjo nuk do të thotë se një qeveri e caktuar nuk është kujdesur, por fakti që kemi arritur në këtë gjendje tregon se për rreth 30 vite fokusi tek hekurudhat ka qenë me të vërtetë në nivel të ulët”, tha ai. 

Ai shtoi se tregues tjetër është se më parë dy ndërmarrjet publike hekurudhore, Infrastrukturë dhe Transporti, kishin rreth 14.000 të punësuar ndërsa sot, të dy ndërmarrjet së bashku kanë nën 1.300 të punësuar, që do të thotë ka një ulje prej rreth 90 përqind. 

“Ka një numër jashtëzakonisht të madh të largimeve të stafit profesional, atij që është me të vërtetë i rëndësishëm për ne, dhe kjo është një luftë e përditshme për të rimarrë ekipet në dy ndërmarrjet dhe për të stabilizuar infrastrukturën hekurudhore dhe transportin”, tha Ivanovski.