Greqia me veto ndaj Shqipërisë për negociatat me BE-në për shkak të kryebashkiakut të Himarës

Greqia nuk do të japë pëlqimin për fazën tjetër të negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë, nëse nuk ka përparim në çështjen e zgjedhjes së kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, konfirmoi një diplomat grek në Bruksel, raporton agjencia Ana-MPA, transmeton Portalb.mk.

Sipas të njëjtave burime, qëndrimi i Greqisë është i qartë. Greqia ka pranuar t’i dërgojë Tiranës një letër të BE-së, e cila është hapi i parë për fillimin e negociatave të anëtarësimit, me kushtin që Shqipëria duhet të bëjë një “lëvizje të qartë drejt rivendosjes së vullnetit politik të elektoratit himaran” përpara fazës tjetër të procesit.

Të njëjtat burime theksuan se pala greke kërkon që kryetarit të zgjedhur të Himarës t’i jepet leje për të bërë betimin dhe për të kryer detyrën e kryetarit.

Kundër kësaj, gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e Bellerit, i cili është grek, për t’u betuar si kryetar i Bashkisë së Himarës. Ai u refuzua nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Belleri dyshohet për mashtrim zgjedhor. Gjyqi i tij do të vazhdojë më 19 dhjetor. Ai u arrestua në maj me akuzën e mashtrimit të votave, pak para se të fitonte zgjedhjet bashkiake në rajonin jugor shqiptar të Himarës, me shumicë greke.

Ndërkohë, agjenda e mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, e cila do të jetë përgatitje për Samitin e BE-së më 14 dhe 15 dhjetor, përfshin zgjerimin e BE-së dhe progresin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mundësia e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia mbetet e hapur dhe e madhe në procesin e anëtarësimit.

Sipas draft-konkluzioneve të Samitit, liderët evropianë do të konfirmojnë angazhimin e tyre të plotë dhe të padiskutueshëm për hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe do të bëjnë thirrje për përshpejtimin e proceseve të anëtarësimit. Negociatat me Bosnje dhe Hercegovinën do të fillojnë pasi të përmbushen kriteret.