Në ankand edhe dy parcela të Mijallkovit, pritet të shiten për 2 milionë euro

Me njoftimin e sotëm për shitjen e patundshmërive nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara, dhe me vendim të Qeverisë të miratuar më parë, vazhdon kthimi i parave në buxhetin e shtetit nga pasuria e konfiskuar e ish-drejtorit të DSK-së Sasho Mijalkov, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për tokë ndërtimore të pandërtuar me sipërfaqe prej 3.880 m2 dhe pyll me sipërfaqe prej 634 m2, të cilat i përkasin komunës Qendër dhe janë konfiskuar me aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit.

Me shitjen e këtyre patundshmërive në buxhetin e shtetit do të derdhen mjete në vlerë prej 126 milionë denarë ose 2 milionë euro.

“Me këtë njoftim agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar fton dhe inkurajon të gjithë personat e interesuar juridikë dhe fizikë që pa frikë dhe presion të marrin pjesë në ankand publik në këtë link”, njoftuan nga Agjencia.

Paraprakisht tri banesat e Mijallkovit në Vodno janë shitur në ankand publik për 332.376 euro. Gjithashtu, dy banesat e tij në Ohër dhe toka i janë shitur për 244 mijë euro.

Më 6 shtator, Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Paluajtshme shiti në ankand dy banesat në Ohër dhe tokën ndërtimore të pandërtuar në Radnjë për 244 mijë euro në pronësi të ish-drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijalkov.

Një apartament në Ohër i Mijalkovit ishte 46 metra katrorë (plus 19 metra katror dhoma ndihmëse) dhe kishte çmim fillestar prej 94.000 euro. Pjesa tjetër (58 metra katrorë dhe dhoma ndihmëse 56 metra katrorë) është shitur për 146 mijë euro. Bëhet fjalë për dy apartamente në të njëjtën ndërtesë. Në shitje është nxjerrë edhe toka ndërtimore e pandërtuar në Radnjë, e cila po ashtu ishte në pronësi të Mijalkovit.