Gratë në botë kryejnë mbi 76% të punës së kujdesit të papaguar

UN Women, në partneritet me institucionet kombëtare dhe të mbështetura nga Zyra e Jashtme, e komonuelthit dhe zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) dhe Ambasada Britanike në Shkup, organizuan konferencën “Transformimi i sistemeve të kujdesit në Maqedoninë e Veriut përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme ndaj gjinisë” në Shkup. Konferenca mblodhi aktorë kryesorë për përshpejtimin e reformave dhe për forcimin e ekonomisë së kujdesit në vend, duke ofruar një platformë për diskutimin e politikava për zgjidhje, paraqitjen e gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore mbi reformën e sistemit të kujdesit dhe për të ndarë praktikat e mira evropiane dhe ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk. 

Puna e kujdesit mbetet një nga pengesat kryesore për barazinë gjinore në mbarë botën. Globalisht, gratë kryejnë 76.2 përqind të punës së kujdesit të papaguar dhe shpenzojnë mesatarisht 3.2 herë më shumë kohë në kujdes të papaguar sesa burrat – ekuivalente me afërsisht 4 orë e 25 minuta në ditë krahasuar me 1 orë e 23 minuta për burrat. Në Maqedoninë e Veriut, gratë vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësive të kujdesit të papaguar, duke kufizuar pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës dhe duke kontribuar në pabarazitë e vazhdueshme gjinore.

Në ngjarje morën pjesë përfaqësues nga institucionet publike, komunat, komuniteti akademik, shoqëria civile, sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve, si dhe nga komuniteti diplomatik, organizatat ndërkombëtare dhe partnerët zhvillimorë, duke theksuar rëndësinë e veprimit të koordinuar dhe multisektorial për adresimin e sfidave të lidhura me kujdesin.

“Sot Maqedonia e Veriut bën një kthesë të rëndësishme strategjike duke investuar në ekonominë e kujdesit. Ne po investojmë në shërbime të ndihmës dhe kujdesit në shtëpi, asistencë personale, shërbime sociale në komunitet dhe arsim parashkollor. Këto politika kanë efekt të dyfishtë – krijojnë vende të reja pune dhe në të njëjtën kohë u mundësojnë grave pjesëmarrje më të madhe dhe më aktive në tregun e punës. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj vizionit për një shoqëri që kujdeset për njerëzit, sepse vetëm një shoqëri që investon në kujdes mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme, të drejtë dhe prosperuese,” deklaroi Fatmir Limani, ministër i politikës sociale, demografisë dhe rinisë.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se fuqizimi ekonomik i grave dhe rritja e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës mbeten ndër prioritetet kryesore të Ministrisë. Ai nënvizoi se përmes Planit Operativ për Punësim, Ministria ofron mbështetje konkrete për gratë, të rinjtë dhe të papunët afatgjatë, me fokus në aktivizimin ekonomik, zhvillimin e aftësive dhe qasjen më të lehtë në tregun e punës.

“Nuk mund të flasim për rritje dhe zhvillim ekonomik nëse një pjesë e konsiderueshme e grave vazhdon të përballet me pengesa për pjesëmarrje aktive në tregun e punës për shkak të përgjegjësive të kujdesit në familje. Prandaj, përmes Planit Operativ për Punësim krijojmë masa që mundësojnë pavarësi më të madhe ekonomike, mundësi të reja punësimi dhe një ekuilibër më të mirë midis jetës profesionale dhe asaj private,” tha ministri.

Ai shtoi se Ministria po punon paralelisht edhe për ligjin e ri për marrëdhëniet e punës, i cili do të sjellë përmirësim të të drejtave të punëtorëve dhe mbrojtje më të madhe në fushën e shtatzënisë, amësisë, atësisë dhe prindërimit, në përputhje me standardet evropiane.

“Investimi në sistemet e kujdesit nuk është shpenzim, por investim në kapitalin njerëzor, produktivitetin dhe stabilitetin ekonomik afatgjatë të shtetit,” theksoi Durmishi.

“Mbretëria e Bashkuar rikonfirmoi përkushtimin e saj për avancimin e barazisë gjinore në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar ndikimin më të gjerë në pjesëmarrjen ekonomike të grave përmes mbështetjes së projektit ‘Transform Care’, që zbatohet në partneritet me UN Women. Mbretëria e Bashkuar punon si pjesë e përpjekjeve më të gjera për fuqizimin e grave dhe heqjen e barrierave strukturore që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në ekonomi.

Përmes përmirësimit të qasjes në shërbime të përballueshme dhe cilësore të kujdesit, projekti kontribuon në krijimin e kushteve që më shumë gra të hyjnë, të qëndrojnë dhe të avancojnë në tregun e punës, duke çliruar potencialin ekonomik dhe duke mbështetur rritjen gjithëpërfshirëse. Kjo nismë është pjesë e portofolit më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për gratë dhe vajzat në Maqedoninë e Veriut, i cili synon avancimin e mundësive të barabarta, mbështetjen e lidershipit të grave, eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe adresimin e pabarazive themelore që kufizojnë pjesëmarrjen në jetën publike dhe ekonomike,” deklaroi Daniel Fajler, ushtrues detyre në Ambasadën Britanike në Shkup.

“Puna e papaguar e kujdesit është e padukshme – koha e kushtuar kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe familjarët e sëmurë, përfshirë edhe kohën për punët e shtëpisë, është ndër pengesat kryesore për pjesëmarrjen e barabartë të grave në tregun e punës dhe në pozita drejtuese. Prandaj, transformimi i sistemit të kujdesit është thelbësor për fuqizimin ekonomik të grave, por edhe për forcimin e ekonomisë së vendit,” deklaroi Vesna Ivanoviq-Kastared, drejtuese e zyrës së UN Women në Shkup.

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi gjetjet nga Analiza Krahasuese dhe Dokumenti i politikave mbi integrimin e gjinisë, nevojave të kujdesit dhe rrugëve të financimit për një ekonomi gjithëpërfshirëse të kujdesit , dhe kulumtuan se si praktikat e mira evropiane dhe ndërkombëtare – duke përfshirë përvojat nga Forumi i fundit i kujdesit për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe Strategjinë evropiane të kujdesit – mund të përshtaten në kontekstin kombëtar për të forcuar politikat dhe shërbimet e kujdesit në Maqedoninë e Veriut.

U theskua se investimi në sistemet e kujdesit është thelbësor jo vetëm për avancimin e barazisë gjinore, por edhe për promovimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, rritjen e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, forcimin e kohezionit social dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

Konferenca përfundoi me një thirrje të përbashkët për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe investime të qëndrueshme në politika dhe shërbime kujdesi gjithëpërfshirëse dhe të përgjigjshme ndaj gjinisë, të cilat u përgjigjen nevojave të të gjithë njerëzve.