Gratë me probleme menstruale në Mal të Zi do të kenë dy ditë pushim çdo muaj
Deputetët dje miratuan ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, me të cilat grave u njihet e drejta për dy ditë pushim me pagesë në muaj, raporton Vijesti.me.
Kjo e drejtë u takon grave që vuajnë nga dismenorrea sekondare, përkatësisht cikle menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga sëmundje organike si endometrioza, polipet, miomat dhe gjendje të tjera gjinekologjike.
Nismën për ndryshimin e ligjit e dorëzoi deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq në muajin mars të këtij viti, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Projektligji, i cili parashikon të drejtën për pushim menstrual për gratë me diagnozë të dismenorresë sekondare, mori më herët mbështetje unanime nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe nga Komisioni Legjislativ.
Në arsyetimin e projektligjit thuhet se ndryshimet synojnë të rregullojnë në mënyrë adekuate gjendjet patologjike të diagnostikuara të dismenorresë sekondare, duke eliminuar paragjykimet në vendin e punës dhe duke vendosur një ekuilibër ndërmjet shëndetit të grave dhe detyrimeve profesionale.
“Zgjidhja e propozuar ligjore njeh të drejtën e grave me dismenorre sekondare për një gjendje të veçantë të paaftësisë së përkohshme për punë. Dismenorrea sekondare është një gjendje e shoqëruar me dhimbje të shkaktuara nga një patologji gjinekologjike e diagnostikuar më parë. Kjo gjendje do të trajtohet si pushim mjekësor, kur gruaja nuk është në gjendje të punojë për shkak të dismenorresë sekondare të lidhur me sëmundje si endometrioza, miomat, inflamacioni i vezoreve, polipet e endometrit, vezoret policistike, apo simptoma si dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, urinim i dhimbshëm, infertilitet ose gjakderdhje më e madhe se normalja. Diagnoza e dismenorresë sekondare vendoset nga mjeku specialist, ndërsa gratë e siguruara janë të detyruara ta rinovojnë vërtetimin mjekësor jo më vonë se 31 dhjetori i vitit aktual dhe t’ia dorëzojnë punëdhënësit deri më 30 janar të vitit pasues”, thuhet në arsyetimin e projektligjit.