Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës: Revizioni i referohet punës së përbërjes së kaluar
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka reaguar lidhur me Raportin Ppërfundimtar të Entit Shtetëror të Revizionit, në të cilën theksojnë se revizioni i referohet punës së Komisionit gjatë vitit 2024, përkatësisht periudhës që përfshin funksionimin e përbërjes së mëparshme të Komisionit, transmeton Portalb.mk.
“Përbërja aktuale e Komisionit, pas marrjes së detyrës, gjeti sfida serioze institucionale dhe organizative, ndër të cilat një numër të madh lëndësh të pazgjidhura, disa prej të cilave ishin hapur që në vitin 2017. Njëkohësisht, Komisioni për Vendimmarrje për Kundërvajtje për një periudhë të gjatë nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë, gjë që ka kontribuar në ngecjen e procedurave dhe grumbullimin e lëndëve të prapambetura. Sot, Komisioni funksionon me shërbime profesionale të kompletuara dhe me një Komision funksional për Vendimmarrje për Kundërvajtje, duke mundësuar veprim në kohë dhe efikas”, thonë nga KMK.
Ata shtojnë se në vitin 2024 janë miratuar 3 vendime me gjoba në vlerë prej 1.968.100 denarësh, ndërsa në vitin 2025 janë miratuar 31 vendime me gjoba në vlerë totale prej 56.206.321 denarësh. Gjatë së njëjtës periudhë, shtojnë ata, janë arkëtuar 110.917.550 denarë në bazë të vendimeve të formës së prerë dhe të ekzekutueshme.
“Kjo paraqet një rritje prej rreth 933 përqind të numrit të vendimeve të miratuara dhe rreth 2.756 përqind të shumës së gjobave të shqiptuara, çka tregon qartë një zbatim dukshëm më efikas të procedurave kundërvajtëse. Përveç kësaj, Komisioni po vepron në mënyrë aktive edhe sipas rekomandimeve të përfshira në raportin e revizionit, me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm të menaxhimit financiar, evidencës materiale dhe kontabël, prokurimeve publike dhe mekanizmave të kontrollit të brendshëm”, thonë nga KMK.
Ata theksojnë se përparimi në punën e Komisionit është njohur edhe në kuadër të vlerësimit të zbatimit të Agjendës së Reformave nga Komisioni Evropian, ku është konstatuar përparim i konsiderueshëm në zbatimin e politikave për mbrojtjen e konkurrencës dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.
Ndryshe, revizioni i raporteve financiare dhe revizioni i pajtueshmërisë, i kryer në Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës, ka evidentuar disa dobësi në menaxhimin financiar dhe administrativ të institucionit, për të cilat janë dhënë katër rekomandime.
Sipas raportit të revizionit, evidenca materiale nuk është harmonizuar me evidencën kontabël, për shkak të mungesës së treguesve të vlerës në listat e regjistrimit. Gjithashtu, është konstatuar se nuk janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e pasurisë përmes sigurimit në një shoqëri kompetente të sigurimit.