Gjykatat e Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 ishin më pak efikase se në 2024

Edhe pse gjatë vitit 2025 kishte më shumë gjyqtarë aktivë në vend krahasuar me vitin 2024, numri i gjykatave që janë vlerësuar si efikase për vitin e kaluar është më i vogël, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2024, 18 gjykata ishin vlerësuar si efikase, ndërsa vitin e kaluar ky numër u ul për dy, duke arritur gjithsej 16 gjykata që arritën të zgjidhnin më shumë çështje nga fondi i mbetur nga viti paraprak dhe ato të pranuara gjatë vitit.

Këto të dhëna u prezantuan në mbledhjen e sotme të Këshillit Gjyqësor.

Sipas të dhënave të prezantuara, rezulton se më pak se gjysma e gjykatave në vend gjatë vitit të kaluar arritën të përballonin numrin e çështjeve.

Ky përfundim nxirret duke marrë parasysh se në vend ka gjithsej 34 gjykata, prej të cilave 27 janë themelore, katër të apelit, një administrative, një lartë administrative dhe ajo supreme.

Megjithatë, sipas gjyqtareve raportuese dhe kolegëve të tyre që morën pjesë në diskutim, kjo gjendje nuk lidhet me angazhimin e pamjaftueshëm të gjyqtarëve, por me mungesën e punonjësve gjyqësorë.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarja Xheneta Bektoviq tha se nëse bëhet një krahasim i gjyqtarëve aktivë në 2024 dhe 2025, gjyqtarë aktivë në 2024 ishin 370, ndërsa në 2025 u rritën në 427.

“Pra, numri i gjyqtarëve u rrit për 57, të cilët u zgjodhën nga Këshilli Gjyqësor dhe kishin përfunduar Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Megjithatë, numri i gjykatave efikase në 2024 ishte 18, ndërsa në 2025 ishte 16. Logjikisht, numri i gjykatave efikase duhej të rritej në 2025. Përse nuk ndodhi kështu? Edhe pse kemi raste të mira si Gjykata Penale, Gjykata Civile nuk arriti rezultate të kënaqshme pavarësisht rritjes së numrit të gjyqtarëve. Ky është një reflektim i situatës në gjykatat themelore dhe apel, ku nuk ka numër të mjaftueshëm të punonjësve të administratës gjyqësore – nuk ka sekretarë gjyqësorë, nuk ka daktilografë, nuk ka bashkëpunëtorë profesionalë. Çdo gjyqtar duhet të ketë një ekip me të cilin punon për të arritur rezultatet maksimale“, tha Bektoviq.

Kolegia e saj, Danka Ristova, përmblodhi të dhënat për numrin e çështjeve të zgjidhura dhe të pazgjidhura gjatë vitit të kaluar. Ajo tha se në janar të vitit të kaluar, gjykatat trashëguan gjithsej 134 çështje nga viti paraprak dhe gjatë vitit morën gjithsej 540,122 çështje të reja.

„Në total, gjykatat në Maqedoninë e Veriut kishin në punë 674,851 çështje. U zgjidhën 540,241 çështje, ndërsa në fund të vitit mbetën të pazgjidhura 134,610 çështje“, tha Ristova.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, ajo shtoi se secili gjyqtar në Maqedoni gjatë vitit 2025 zgjidhi mesatarisht 1,265 çështje.

Ristova gjithashtu tha se gjyqtarët e rinj, të cilët u pranuan gjatë vitit të kaluar, u zgjodhën pas muajit qershor, që do të thotë se gjykatat punuan gjysmën e vitit pa këta 57 gjyqtarë të rinj nga Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë.

Ajo vuri në dukje se vitin e kaluar gjykatat punuan pa 400 punonjës gjyqësorë, të cilët janë të nevojshëm që një gjyqtar të kryejë punën e tij me sukses dhe të prodhojë rezultate. Ajo shprehu shpresën se këtë vit ky problem do të zgjidhet dhe të punësohen të paktën 200 punonjës gjyqësorë, por shtoi se kjo nuk varet vetëm nga Këshilli Gjyqësor, por edhe nga autoritetet e tjera, të cilat shpreson të tregojnë mirëkuptim.

Ndryshe, në raportin e Institutit për Politika Evropiane në pjesën për Gjyqësorin thuhet se gjatë periudhës tetor 2024 – shtator 2025, sistemi gjyqësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut u përball me sfida të vazhdueshme në aspektin e transparencës, pavarësisë dhe qëndrueshmërisë institucionale. Megjithëse u shënuan disa hapa pozitivë, si transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave dhe përmirësimi i publikimit të vendimeve, mungesa e arsyetimeve të detajuara dhe komunikimit profesional me publikun mbetet problem serioz. Pavarësia financiare e gjyqësorit vazhdon të jetë e cenuar për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe kufizimeve në punësime. Ndërkohë, deklaratat e përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv krijojnë perceptim për presion politik mbi gjyqësorin. Digjitalizimi po avancon, por ende ekzistojnë boshllëqe në automatizimin e plotë të proceseve, veçanërisht në prokurori.