Sindikata dhe Shoqata e Gazetarëve në RMV për rastin në Tetovë: Kultura e të folurit dhe etika janë baza e profesionit të gazetarit

Shoqata dhe sindikata e Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar pas sjelljes së jo të hijshme të një gazetari ndaj ministres së Arsimit gjatë një konference për media në Tetovë, duke nënvizuar se respekti për standardet profesionale dhe etike dhe kultura e komunikimit janë themeli i gazetarisë dhe dialogut publik cilësor, raporton Portalb.mk.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut thekson se e drejta për të bërë pyetje të lira dhe për raportim kritik nga gazetarët është e paprekshme dhe thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike, por kjo e drejtë nënkupton edhe detyrimin për respekt të qëndrueshëm të standardeve profesionale dhe etike.

“Çka nuk ndodhi në rastin e fundit lidhur me sjelljen e gazetarit Nevri Ademi gjatë konferencës për media të ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në Tetovë, rast që Këshilli i Nderit i SHGM-së e ka ndjekur me kujdes dhe ka hapur debat publik në hapësirën mediatike”, thanë nga SHGM.

Duke pasur parasysh rolin e gazetarëve si mbajtës të interesit publik dhe si kujdestarë të vlerave demokratike, Këshilli kujton se kjo e drejtë nënkupton edhe detyrimin për respekt të qëndrueshëm të standardeve profesionale dhe etike.

“Në këtë rast konkret, Këshilli vlerëson se mënyra e komunikimit dhe toni i gazetarit nuk përputhen me parimet e një diskursi publik të dinjitetshëm dhe profesional. Konkretisht, neni 15 i Kodit të Gazetarëve thotë se gazetari duhet të ruajë kulturën e të folurit dhe etiken, ndërsa komunikimi jo i përshtatshëm me publikun është i papajtueshëm me profesionin e gazetarit”, thanë nga SHGM.

Këshilli i Nderit thekson se raste të tilla nuk kontribuojnë në rritjen e besimit në media, as për dialog publik cilësor. Prandaj, bëhet apel ndaj të gjithë gazetarëve dhe punonjësve të mediave që të respektojnë standardet më të larta profesionale, të ruajnë kulturën e komunikimit dhe të kontribuojnë në ndërtimin e respektit të ndërsjellë në hapësirën publike.

Gjithashtu, Këshilli kujton se respekti në marrëdhëniet mes bartësve të funksioneve publike dhe mediave duhet të jetë i dyanshëm, ku institucionet kanë detyrimin të sigurojnë kushte për punë të pandërprerë dhe profesionale të gazetarëve.

“Në këtë drejtim, Këshilli nënvizon se ky rast nuk duhet të përdoret për qëllime ditore politike, as për krijimin e tensioneve shtesë dhe interpretimeve të gabuara në kontekst etnik”, thanë nga SHGM.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGMP) mbështeti qëndrimin e Këshillit të Nderit të SHGM-së për respektimin e standardeve profesionale dhe etike nga punonjësit e mediave

“Edhe pse e drejta për raportim kritik është e paprekshme, mënyra e komunikimit duhet të mbetet brenda kuadrit të një diskursi publik të dinjitetshëm dhe të përgjegjshëm. Sindikatë e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave shpreh shqetësim për sjelljen e një gazetari në Tetovë dhe qëndrimin e tij ndaj një funksionari publik gjatë një konference për media, dhe mbështet qëndrimin e Këshillit të Nderit për respekt të qëndrueshëm të standardeve profesionale dhe etike nga punonjësit e mediave”, thanë nga Sindikata e Gazetarëve.

Sindikata dhe Shoqata e Gazetarëve apeluan që rastet e tilla të mos përsëriten.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale e cila thekson se punonjësit e medias gjatë ushtrimit të profesionit të tyre duhet të respektojnë në mënyrë të vazhdueshme standardet dhe parimet profesionale të gazetarisë.

“Komunikimi ndërmjet gazetarëve dhe bartësve të funksioneve publike duhet të jetë korrekt, dinjitoz dhe i bazuar në respekt të ndërsjellë, me nivel të lartë profesionalizmi dhe përgjegjësie. Agjencia rikujton se raportimi kritik dhe parashtrimi i pyetjeve janë pjesë thelbësore e punës së gazetarit, por ato duhet të formulohen dhe të prezantohen në përputhje me normat etike, në mënyrë që të mos fyejnë, të mos diskreditojnë dhe të mos krijojnë tensione të panevojshme”, tha ASHMAA.