Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ankesën e Apasievit për diskriminimin e pretenduar nga Talat Xhaferi

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë kërkesën e kryetarit të partisë “Levica” Dimitar Apasiev, të parashtruar kundër ish kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili, siç u theksua në kërkesën e Apasievit, “ka shkelur të drejtën për veprim politik”, transmeton Portalb.mk.

“Kërkesa e parashtruesit Dimitar Apasiev refuzohet. Në bazë të gjendjes faktike të konstatuar të seancës publike, Gjykata vlerësoi se nuk ka fakte juridikisht relevante se në këtë rast dhe me veprimet konkrete të kryera nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Talat Xhaferi, parashtruesit të kërkesës i është cenuar liria e veprimit politik dhe se është diskriminuar për shkak të përkatësisë së tij politike, për çka, janë plotësuar kushtet e nenit 56 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës. Gjykata Kushtetuese pranoi deklaratat e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Talat Xhaferi, të cilat ishin paraqitur në seancën dëgjimore publike para Gjykatës, se në këtë rast e vetmja gjë e drejtë që duhej bërë ishte të zbatohen dispozitat nga nenet 135 dhe 136 të Rregullores së Kuvendit, pasi me të njëjtat rregullohet procedura kur deputeti paraqet një projektligj dhe i jepet autorizimi  kryetarit të Kuvendit të kërkojë nga deputeti harmonizimin e propozimit brenda një afati të caktuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka konstatuar se Dimitar Apasiev është dashur të veprojë brenda këtij afati dhe ta redaktojë parashtresën, pasi që ka qenë iniciativë civile e dorëzuar nga një deputet, prandaj ka qenë plotësisht logjike që njoftimi t’i dërgohet në Kuvend, e jo në adresën e shtëpisë.

“Nga deklarimet e palëve në seancën publike del qartë se parashtruesi i kërkesës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, Dimitar Apasiev, nuk e ka respektuar afatin prej 15 ditësh për redaktimin e parashtresës apo propozimit, për këtë arsye është refuzuar sikur të mos ishte dorëzuar.  Duke vepruar në këtë mënyrë me iniciativën e paraqitur nga parashtruesi, mendojmë se kryetari i Kuvendit nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij, sepse dispozitat e Rregullores së Kuvendit, veçanërisht dispozita e nenit 60 të Rregullores së Punës, theksojnë qartë se kryetari i Kuvendit shqyrton rregullsinë e propozimit për nisjen e nismës qytetare për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror. Rrjedhimisht, kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, duke dërguar njoftimin në fjalë se nisma duhet të plotësohet dhe ndryshohet, ka përmbushur obligimet ligjore dhe procedurale për të siguruar zbatimin e Rregullores së Punës. Me këtë veprim të kryetarit të Kuvendit, sipas mendimit të Gjykatës, nuk është cenuar liria e veprimit politik të parashtruesit të kërkesës Dimitar Apasiev nga neni 110, paragrafi 3 i Kushtetutës, sepse si deputet ai kishte në dispozicion mjete dhe instrumente të tjera me anë të të cilave mund të ngrinte çështjen e shpalljes së referendumit në nivel shtetëror, siç është, për shembull, mundësia e parashikuar nga neni 184 i Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit çdo deputet ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e deklaratave, rezolutat, vendimet, rekomandimet dhe aktet e tjera të përgjithshme”, thuhet në njoftim.

Në veprimet e Talat Xhaferit, Gjykata konstaton se nuk ka elemente të diskriminimit, sepse pas iniciativës që paraprakisht (në shtator 2022) ishte paraqitur nga partia politike VMRO-DPMNE për shpalljen e referendumit lidhur me marrëveshjen me Bullgarinë, Kryetari i Kuvendit ka vepruar në të njëjtën mënyrë dhe e ka njoftuar parashtruesin e asaj iniciative se e njëjta e parregullt për arsye formale dhe nuk e ka përcjellë  në komisioniet përkatëse parlamentare.

Parashtruesi i kërkesës, Dimitar Apasiev, konsideronte se kryetari i Kuvendit, duke refuzuar t’ia përcjellë iniciativën organeve kompetente parlamentare, ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar dhe në këtë mënyrë e ka penguar parashtruesin të ushtrojë të drejtën e mbrojtur me Kushtetutë për veprim politik.