Përdorimi i gjuhës shqipe në banka, “mister” të cilit Ministria e Drejtësisë nuk i përgjigjet me muaj

Për muaj me radhë Ministria e Drejtësisë nuk i jep përgjigje pyetjes për të cilën opinioni është i interesuar: A duhet bankat e Maqedonisë së Veriut të përdorin gjuhën shqipe? Për këtë pyetje dhe nëse mund të gjobisin bankat që nuk e përdorin gjuhën shqipe, në pritje janë edhe nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse se Agjencia për Zbatimin e Gjuhës thotë se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, bankat nuk e bëjnë këtë dhe arsyetohen se nuk e kanë për obligim.

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk e ka të qartë nëse mundin ose jo t’i gjobitin bankat për mos zbatimin e gjuhës shqipe, ata presin mendim nga Ministria e Drejtësisë që të mund të veprojnë, por nuk tregojnë nëse kanë mare ndonjë përgjigje.

Ministria e Drejtësisë me muaj nuk i përgjigjet pyetjes së Portalb.mk nëse Ligji për përdorimin e gjuhëve bankat private të zbatojnë gjuhën shqipe.

Në këtë moment kur vendi sapo ka dalë nga dy pale zgjedhje dhe është në pritje të formimit të Qeverisë së re, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me këtë çështje, nëse do të zgjidhet ose jo, marrë parasysh faktin se nuk dihet kush dhe si do të udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë pas formimit të Qeverisë

Shoqata Më Mirë për Tetovën (MMPT) nxori në pah problemin me Bankat në Maqedoninë e Veriut që nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe.