Gjuha jodiplomatike e parisë shqiptare

Historia e Shqipërisë është histori tkurrjesh territoriale, shpopullimesh dhe braktisjesh të sinorëve të Atdheut për shkak të pushtimeve të dhunshme nga tjetri dhe për shkak të paaftësisë së parisë hajdute që njeh vetëm interesat personale dhe fisnore. Shi për këtë, nuk qe e rastit deklarata e Sami Frashërit, sipas së cilës: Vetëm një Skënderbe ka punuarë për Shqipërinë e vetëm Ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.

Megjithatë, për hir të së vërtetës dhe për të mos e hyjnizuar të shkuarën dhe heronjtë e saj, duhet thënë se edhe në periudha të tjera historike shqiptarët kanë pasur burrështetas të ndërgjegjshëm, që e kanë ndier përgjegjësinë morale për pasojat e mundshme të veprimeve dhe deklaratave të pamatura. Shi për këtë, sa herë që politikbërësit janë kujdesur për gjuhën e tyre diplomatike, kanë arritur të bëjnë miq dhe të korrin suksese në punën e tyre. Ndër shembujt e tillë po përmend vetëm Fan Nolin dhe Ibrahim Rugovën, të cilët në kohë shumë të vështira ia dolën të bëjnë për vete presidentët e SHBA-së  – superfuqisë botërore, pa ndihmën e së cilës kush e di çfarë do të ndodhte me ne?

Në anën tjetër, sa herë që politikbërësit harrojnë se nuk jemi qendër e botës, se jemi të vegjël, të pafuqishëm dhe të copëzuar si mos më keq, sa herë e marrin mësysh vetveten dhe harrojnë se mënyra e komunikimit me miqtë dhe fuqitë dalëzotëse të shqiptarëve duhet të jetë maksimalisht racionale dhe e mbështetur në arsyen e shëndoshë dhe në përputhje me rrethanat aktuale politike në rajon dhe më gjerë, i dëmtojnë  keq shqiptarët dhe të ardhmen e tyre. Kjo është arsyeja përse paria shqiptare duhet ta kuptojë mirë se gjuha diplomatike nënkupton artin e marrëveshjeve që bëhen me takt të veçantë, me mjeshtri dhe me sjellje të stërholluar për arritjen e qëllimeve të caktuara.

Po kujtojmë në vijim disa gabime të kushtueshme të politikanëve më me influencë në Shqipëri dhe Kosovë, përmirësimi i të cilave kërkon shumë kohë, kurse nganjëherë është i pamundshëm.

Kështu:

  • Në nëntor të vitit 2014, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e irrituar nga mosnjohja e gjuhës diplomatike nga politikanët e Kosovës, u detyrua të përdorë një gjuhë të zhveshur nga bontoni elementar, duke u thënë shkoqur: E keni dhier punën.
  • Në gusht të vitit 2016, në një bisedë telefonike me Adem Grabovcin, kryetari i Kosovës Hashim Thaçi thotë: Haj se do luaj koqe me amerikanët.
  • Në mars të vitit 2018, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në vlugun e kampanjës zgjedhore, bëri për CNN portretin moral të kandidatit republikan për kryetar të SHBA-së Donald Trampit duke e cilësuar si të rrezikshëm për Amerikën. Asokohe, prijës shtetesh gjigante si Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Kina, Rusia… preferuan mos t’i fusin hundët aty ku nuk e kanë vendin, sado që janë shumë më të pavarur nga politika amerikane se Shqipëria jonë dhe sado që mund të kishin shumë më tepër informacione për Trampin se Rama ynë. Për këtë skandal, gazetari i CNN-it ia tha troç shakaxhiut tonë: Kujdes! Etika diplomatike nuk i lejon udhëheqësit e huaj të flasin për zgjedhjet e vendeve të tjera.
  • Në maj të vitit 2021, ish kryetari dhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u shpallën “non grata” nga SHBA. Për këto kakuza të rënda ai iu hakërrye me fjalë shumë të ashpra ambasadores Yuri Kim. Mes fyerjesh të shumta që nuk priten prej një personaliteti që ka udhëhequr gjatë Shqipërinë, po veçojmë njërën ndër më të egrat, të bërë në mars të këtij viti: Mos mendo se mund t’u shesish shqiptarëve për moral amoralitetin.
  • Në janar të vitit 2022, gjatë vizitës zyrtare në Greqi, në itrervistën dhënë gazetës  To Vima, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, harroi detyrën e saj dhe tha: Kosova nuk do t’i lutet shtetit grek që ta njohë subjektivitetin e saj.
  • Më 30 maj 2023, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të cilit i ka rënë hise të djegë duart në përpjekje për të nxjerrë nga zjarri patatet e skuqura të pararendësve, që edhe pas Pakos së Ahtisarit pranuan të bisedojnë me Serbinë për asociacione dhe favore shtesë për serbët e Mitrovicës Veriore, gaboi rëndë kur kritikën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me trazirat e dhunshme në komunat me shumicë serbe, “kundër këshillës” së SHBA-së dhe BE-së, e quajti: naive.

Po kaq të dëmshme janë dhe skandalet e diplomatëve të lartë, që kanë përfaqësuar e përfaqësojnë dy shtetet shqiptare në marrëdhëniet me botën e jashtme. Mjerisht ne mbajmë rekordin me vakitë e këtilla, jo vetëm në Ballkanin e prapambetur. Vetëm ne emërojmë punonjës në ambasada dhe në ministritë e jashtme njerëz që janë në listën e të kërkuarve nga Interpoli, trafikantë lëndësh narkotike, trafikantë vizash dhe armësh, diplomatë që shkojnë në takime zyrtare me pantallona të shkurtra, ambasadorë dhe sekretarë ambasadash që në fund të mandateve kërkojnë azil politik, sepse nuk duan të kthejnë në vendin që e kanë përfaqësuar me vite të tëra, injorantë që i prezantojnë shqiptarët para botës si heroi i Konicës Denizullu Serpe, shpërdorues fondesh shtetërore nëpër ambasada, konsuj grindavecë që rrahën në ambasada e hajt bir.

Kaq për sot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.