Ballkanasit sipas John Fraserit (I)

Gazetari skocez John Foster Fraser (1868 – 1936) në librin Pamje nga Ballkani (1906) shkroi për veçantitë e popujve të Ballkanit: shqiptarëve, serbëve, bullgarëve, grekëve dhe turqve; për përçarjet dhe bashkëjetesën etnike; për zakonet, traditat, religjionin dhe eposin; për ekonominë, rregullimin familjar dhe organizimin shtetëror; për kryengritjet e ndërhyrjet e fuqive të mëdha dhe përplasjet e shteteve për Maqedoninë. [John Foster Fraser, Pictures from the Balkan, London, 1906 dhe Shqipëria e Poshtme, përktheu Azem Qazimi, Zenit, Tiranë, 2009.]

Nëpërmjet shkrimeve të autorëve të shekujve XIX e XX mund të krijojmë pasqyrë më të qartë mbi këndvështrimin europian ndaj Ballkanit, i cili shpesh mjegullohej nga paragjykimet e shumta.

Gadishulli, siç shkroi antropologu Ivan Çoloviq në librin Ballkani – terrori i kulturës, shpesh është përfytyruar nga europianët perëndimorë si “hapësirë që vuante nga mungesa e kulturës”, kurse ballkanasi si “europian i parealizuar dhe me deficit kulturor”.  Ky është shkaku pse sot banorët e Europës Juglindore nuk ndjehen mirë kur quhen ballkanas.

John Fraseri ndonëse e mëtoi paanshmërinë, shpesh shkroi për një “Ballkan imagjinar” dhe jo për një “Ballkan real”. Edhe ai u rëndua nga paragjykimet ekzistuese për Ballkanin dhe ballkanasit.

Shqiptarët ai i krahasoi me skocezët, kurse Shqipërinë me Skocinë e shekullit XVI. Nëse skocezët i bashkonte urrejtja ndaj anglezëve, shqiptarët i bashkonte urrejtja ndaj sllavëve. Dy popujt, sipas tij, shquheshin për vigjilencë, për shpejtësi në shkrepje arme, për armiqësi ndërfisnore, por edhe si adhurues të muzikës, veçanërisht gajdes.

Shqipëria përshkruhet si një vend i izoluar, i padepërtueshëm, me mungesë rrugësh, rrethuar e shtrënguar me male të larta e me shumë gryka të rrezikshme malore, ku jetonte një popull “me bujari të ashpër kalorësiake”, që ia kishin frikën fqinjët.

Burrat shtatlartë, guximtarë, sqimatarë, armëdashës dhe adhurues veshjesh të bukura, jetonin në armiqësi ndërfisnore dhe, si të tillë, ishin “pjesë e një populli të bashkuar duke qenë të ndarë”. Madje ai pa edhe “dallime racore”. Sipas tij, mirditorët i respektonin prijësit fisnorë dhe ligjet e tyre spartane e shpesh mizore, kurse toskët ishin më punëtorë dhe në mesin e tyre kishte bejlerë të pasur. Shkoi aq larg sa shkroi se brenda shqiptarëve kishte kombësi të ndryshme.

Eqrem Çabej shkroi për “unitetin në diversitet” të shqiptarëve, kurse sipas akademik Shaban Sinanit, shqiptarët janë “heterogjenë në besim dhe homogjenë në identitet”.

Shqiptarët, këta “fëmijë racash të dëshpëruara”, që nuk i duronin ligjet e pushtuesve, madje duke e mbrojtur pavarësinë edhe në fortësinë malore, sipas Fraserit, më parë e pranonin sundimin nominal turk se rregullin e rreptë të Italisë ose Austrisë. Falë kësaj qeverisjeje ata parandaluan shumë vrasje dhe hasmëri ndërfisnore.

Shqiptari nuk e prekte nderin e gruas, jo nga frika, por shkaku i traditës. Gruaja shqiptare shëtiste lirshëm në tokën e ashpër shqiptare, e pacenuar nga fortësia e burrave krenarë.

Besnik për nga natyra, shqiptari nëse thoshte “do ta bëj”, nuk dështonte në këtë qëllim. Nëse gënjente gjatë tregtisë, këtë e bënte sepse nuk donte të dukej leshko, por ai ishte i sinqertë kur tregtonte për nderin e tij.

Sipas Fraserit, shqiptari vriste, por nuk plaçkiste e as nuk i merrte gjërat të vrarit, sepse i dukej e pandershme.

Shqiptari, që e pëlqente vëllamërinë dhe ishte luftëtar, punonte në fushë vetëm sa për të mbijetuar.

Fraseri e përshkroi edhe koloritin religjioz në mesin e shqiptarëve. Sipas tij, brenda një fisi kishte shqiptarë besimesh të ndryshme. Por, ata iu dukën shumë besëtytë, sepse besonin që në kodra kishte demonë.

Fraseri paragjykoi shumë. Sipas tij, shqiptarët, ndryshe nga racat e Ballkanit, nuk kishin art, letërsi, politikë kombëtare, kauzë, ideal dhe qëllim; se ishin indiferentë ndaj problemeve rajonale; se nuk donin të mposhtnin turkun me kryengritje të përbashkët me maqedonasit, edhe pse toka shqiptare “nuk ishe pa zemërime”. Madje, edhe gjuha shqipe iu duk e pa formë dhe si përzierje gjuhësh.

Ndryshe nga çfarë shkroi Fraseri, shqiptarët, në këtë kohë, e kishin lëvizjen kombëtare, kishin letërsi të shkruar dhe libra të botuar nga shekulli XVI.

Ai shkroi edhe për përditshmërinë në disa qytete shqiptare. Në Strugë pa se shqiptarët ishin populli më dinamik. Burrat shtatlartë, me tipare të pashme, të rregullta dhe sqimatarë, që pëlqenin xhamadanët e qëndisur me serm e flori ose fustanellat e bardhë si bora, si dhe opingat, rëndom prej lëkurës së kuqe dhe me një xhufkë të madhe në majë, nëpërmjet të cilave e shprehnin edhe kapardisjen e tyre, pëlqenin të mbanin armë të dekoruara me gurë të çmuar dhe nuk lëviznin të paarmatosur, sepse ndiheshin të rrezikuar.

Shqiptarët ishin miqësorë me europianët, kurse Anglinë e shihnin si miken e tyre. Sapo e kuptonin që bashkëbiseduesi ishte anglez, viheshin në siklet nga dëshira për ta nderuar sa më shumë, por ndryshonte raporti me sllavët dhe turqit. Dragomani shqiptar, që e shoqëronte Fraserin, shprehte ndjenja armiqësore ndaj turqve dhe ishte dashamirës me europianët, veçanërisht me anglezët. Urrejtja ndaj turqve, sipas tij, shprehej më shumë në veri të Shqipërisë dhe zbehej në jug. “Veriorët e zymtë dhe syshqiponjë”, që e pranonin autoritetin e beut të tyre, ishin strehuar maleve sepse nuk donin t’i nënshtroheshin pushtuesit, por edhe atje jetonin në armiqësi fisnore. Grindjet më të mëdha ndërfisnore, sipas tij, ishin në Elbasan. Aty ishte mbajtur edhe një kuvend armëpushimi ndërmjet fiseve rivale. Shqiptarët, kështu, më shumë se nga sëmundjet vdisnin “nga tronditja e mendimeve”. Zënkat nuk i zgjidhnin nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet gjakmarrjes.

Elbasani, përveç hasmërive klanore, iu duk “vend i rrezikshëm” edhe për punë flirtesh, madje “më i rrezikshmi në Europë”.

Fraseri nuk harroi të përshkruante një han të thjeshtë dhe të papastër. Shumë autorë europianë kanë shkruar për hanet. Nëpërmjet tyre tentonin ta dallonin “lindorin” nga “perëndimori”. Sipas një skeme të paracaktuar, siç e vëren edhe Bozhidar Jezernik në librin Europa e egër, duhej që “lindorët” të kishin hane të papastra, kurse “perëndimorët” hotele komode.

Fraseri në Shqipëri pa shumë mbetje romake, kurse magjistralja e Durrësit kishte mbetur si në kohën e romakëve, pasi turqit s’kishin ndërtuar rrugë. (Vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.