Gjoba deri në 15 milionë euro, rregulla të reja të BE-së për transparencën e IA-së

Në Bashkimin Evropian (BE) nga 2 gushti 2026 kanë filluar të zbatohen rregullat e reja për transparencën e sistemeve të inteligjencës artificiale (IA), me qëllim që qytetarët ta kenë më të lehtë të kuptojnë kur komunikojnë ose ekspozohen ndaj inteligjencës artificiale, transmeton Portalb.mk.

Sipas rregullave të Komisionit Evropian (KE), përdoruesit duhet të informohen qartë kur komunikojnë me chatbotë, agjentë të IA-së ose avatarë virtualë.

Ofruesit e sistemeve gjeneruese të IA-së janë të obliguar që përmbajtjet që krijojnë ose ndryshojnë t’i etiketojnë në format të lexueshëm nga makineritë.

Kjo vlen për imazhet sintetike, incizimet audio, videot dhe tekstet.

Për zbatimin e këtyre rregullave janë përgjegjëse autoritetet kombëtare mbikëqyrëse, Zyra Evropiane për Inteligjencën Artificiale dhe Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave.

Kompanitë që nuk do t’i respektojnë detyrimet mund të gjobiten deri në 15 milionë euro ose deri në tre përqind të qarkullimit të tyre të përgjithshëm vjetor në nivel global.

Për institucionet, organet dhe agjencitë e BE-së parashihet gjobë deri në 750.000 euro, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të respektohet parimi i proporcionalitetit.

Kujtojmë se Ligji Evropian për Inteligjencën Artificiale hyri në fuqi më 1 gusht 2024, por dispozitat e tij po zbatohen gradualisht.