GJND-ja nuk urdhëroi armëpushim në Gazë, i kërkoi Izraelit të parandalojë vdekjet dhe dëmet

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka urdhëruar të premten armëpushim në Gazë, por i ka kërkuar Izraelit që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit, transmeton REL.

Gjykata ka thënë se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.

Gjykata nuk ka marrë vendim në kërkesën e Afrikës së Jugut nëse ka ndodhur gjenocid në Gazë.

Megjithatë, e ka njohur të drejtën e palestinezëve në Gazë që të mbrohen prej akteve të gjenocidit.

Afrika e Jugut e ka konsideruar vendimin e GJND-së, për të trajtuar rastin e hartuar nga ajo, si “fitore vendimtare” për rendin dhe ligjin ndërkombëtar.

Çfarë tha tjetër GJND-ja?

Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.

Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji, për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

Izraeli i ka konsideruar akuzat ndaj si të “pabaza”.

Ndalja e luftimeve në Gazë ka qenë kërkesa kryesore e Afrikës së Jugut.

Si pasojë e luftës makabre të Izraelit në Gazë, janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë.

Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.

Izraeli po kryen vrasje të civilëve në Gaza që nga 7 tetori 2023.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.

Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid.