Gjithnjë e më shumë kompani të huaja po ua vënë drynin fabrikave në Serbi

Fabrika është mbyllur disa muaj pasi obligimet nga kontrata për subvencione nga buxheti shtetëror përfunduan, raporton Radio Evropa e Lirë. Kështu dukej “rrugëtimi” gjashtëvjeçar i kompanisë daneze për prodhimin e vjeshjeve të punës, Kentaur, në Serbi.

Brenda një dite, mbi 250 persona mbetën pa punë kur, pa paralajmërim, në fund të tetorit, kompania mbylli fabrikën e saj në Vranjë, në jug të Serbisë.

Njëri nga ish-punonjësit e Kentaurit, i cili dëshironte të identifikohej vetëm me inicialet G.S., i tha Radios Evropa e Lirë se ai dhe kolegët e tij nuk e imagjinonin çfarë i priste kur të hënën, më 27 tetor, erdhën në punë.

“Ne nuk na lejuan të hynim në kompleksin e kompanisë. Qëndruam një orë e gjysmë në shi. Pastaj drejtoresha e kompanisë mbajti një takim me ne në rrugë. Aty ishte një pajisje që përdoret për ngarkim dhe shkarkim të mallit dhe ajo u ngjit në të dhe na tregoi se kompania ishte në likuidim”, tha ai.

Ai shtoi se avokati i kompanisë u tha punonjësve se do t’u paguhen vetëm pagat për tetorin dhe ditët e mbetura të pushimeve vjetore.

“Ne e morëm shumë keq këtë lajm. E dini si ndihet kur shkollon tre fëmijë dhe brenda natës mbetesh pa punë”, tha ish-punonjësi i Kentaurit.

Kjo fabrikë daneze për prodhimin e veshjeve të punës kishte përfituar përmes subvencioneve rreth 1 milion euro nga buxheti i Serbisë, me obligimin që deri në korrik të këtij viti të vazhdonte aktivitetin dhe të punësonte njerëz.

Përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shtetërorë më vonë njoftuan se kompania nuk i kishte paralajmëruar për planet e largimit të punëtorëve dhe premtuan se do të gjendej një zgjidhje për të gjithë ata që mbetën pa punë.

Kur u pyet nga REL-i për arsyet dhe mënyrën se si u vendos të përmbyllej aktiviteti në Serbi, kompania nuk u përgjigj.

Më parë, për portalin Slobodna Rec nga kjo kompani kishin thënë se fabrika në Vranjë u mbyll për shkak të deficitit të konsiderueshëm që regjistronte e gjithë kompania, por edhe për shkak të “rritjes drastike të pagës minimale” në Serbi.

Sipas ligjit, paga minimale në Serbi u rrit jashtëzakonisht në tetor për 9.4 për qind, duke arritur në 500 euro për 184 orë pune gjatë atij muaji.

“U desh të reagonim shpejt ndaj ndryshimeve të fundit dhe projeksioneve në tregun e punës”, thanë nga kompania daneze.

Me largimin nga Serbia, Kentaur e vazhdoi një trend të ikjeve të kompanive. Mbyllja e vendeve të punës, impianteve dhe fabrikave të tërë të kompanive të huaja që përfitojnë subvencione po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në Serbi.

Vetëm që nga fillimi i vitit, disa mijëra punonjës ose kanë mbetur pa punë ose është njoftuar për largimet e tyre.

Kush po largon punonjës në Serbi?

Numri më i madh i vendeve të punës që janë mbyllur deri tani është në jug të Serbisë, ku papunësia është përgjithësisht më e lartë.

Rreth 950 persona mbetën pa punë në pranverë kur kompania italiane e tekstilit Benetton mbylli fabrikat e saj në Nish. Largimin e punëtorëve e shpjeguan me “krizën serioze” që kompania po përjeton në nivel global.

Në të njëjtën periudhë, në Nish mbetën pa punë edhe mbi 300 punonjës të një prej kompanive kineze më fitimprurëse në Serbi, Johnson Electric. Edhe pse nuk është larguar nga Serbia, kompania, “si përgjigje ndaj sfidave aktuale në industrinë evropiane të automobilave”, ka ulur numrin e punonjësve për rreth 16 për qind. Johnson Electric operon në Serbi që nga viti 2013 dhe subvencionohet nga shteti.

Fillimisht ishte rënë dakord që fabrika të punësonte të paktën 3.400 punonjës. Megjithatë, kjo kontratë u ndryshua dhe tani kompania është e detyruar që deri në fund të vitit 2027 të ketë të paktën 1.550 punonjës. Një pjesë e subvencioneve, afërsisht një milion dinarë, u kthye mbrapsht për shkak të këtij ndryshimi.

Rreth 1.900 persona do të largohen deri në fund të vitit 2025 në kompaninë gjermane Leoni, e cila në korrik njoftoi mbylljen e prodhimit në fabrikën e saj në Malloshishte, afër Nishit. Kompania, e cila prodhon komponentë për industrinë automobilistike në katër fabrika në Serbi, bëri të ditur se fabrika që do të mbyllet po i shkakton humbje të konsiderueshme.

Investitori i parë turk në Serbi, fabrika turke e tekstilit Jinsi, mbylli këtë verë fabrikën e saj në Leskovc. Rreth 700 persona mbetën pa punë.

Pas 12 vjetësh dhe një sërë subvencionesh shtetërore, kompania u largua nga Serbia për shkak, siç tha, vështirësive në të bërit biznes.

Largime në Leskovc, që llogariten të jenë qindra vende pune, këtë vit u njoftuan gjithashtu nga kompania jugkoreane Jura dhe ajo irlandeze Aptiv.

Largime të kompanive ka pasur edhe në veri të Serbisë. Pas 15 vjetësh aktiviteti në Zrenjanin, kompania gjermane Dräxlmaier njoftoi mbylljen e fabrikës së saj. Kompania që prodhon komponentë për automobila përmendi krizën në industrinë automobilistike si arsye për largim nga shteti.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve të Serbisë (APR), në vitin 2024 Dräxlmaier kishte 2.166 të punësuar në Serbi.

Të gjitha këto kompani kanë marrë miliona euro subvencione shtetërore.