Gjermania kundër Trumpit: Groenlanda vendos vetë për të ardhmen
Gjermania deklaroi të dielën se është e gatshme të marrë përgjegjësi më të mëdha në Arktik, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërcënoi se Shtetet e Bashkuara do ta merrnin Groenlandën “në një mënyrë ose në një tjetër”, duke shkaktuar tensione diplomatike me aleatët evropianë, transmeton Euronews.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se Berlini do të rrisë angazhimin e tij në rajonin e Arktikut, duke hedhur poshtë kërcënimet e Trump ndaj territorit danez të pasur me burime minerale. Deklaratat ai i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Reykjavik me ministrin e jashtëm të Islandës.
“Siguria në Arktik po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme dhe është pjesë e interesit tonë të përbashkët brenda NATO-s”, u shpreh Wadephul. Ai shtoi se, nëse Uashingtoni shqetësohet për kërcënime të mundshme nga anije apo nëndetëse ruse dhe kineze në rajon, aleatët mund të gjejnë zgjidhje të përbashkëta.
Megjithatë, diplomati gjerman theksoi qartë se “e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga populli i Groenlandës dhe Danimarka”, duke riafirmuar respektimin e sovranitetit dhe të drejtës së vetëvendosjes.
Deklaratat e Wadephul vijnë pasi presidenti Trump u tha gazetarëve në bordin e Air Force One se SHBA do ta merrte Groenlandën “në një mënyrë ose në tjetrën”, duke paralajmëruar se Rusia ose Kina mund të “marrin kontrollin” e ishullit nëse Uashingtoni nuk vepron.
“Nëse nuk e marrim Groenlandën, do ta marrin Rusia ose Kina, dhe unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë”, tha Trump, pavarësisht se asnjëri prej këtyre vendeve nuk ka pretendime territoriale ndaj ishullit. Ai shtoi se Groenlanda “duhet të bëjë marrëveshjen”, për të shmangur ndikimin rus apo kinez.