Gjermanët protestojnë kundër planit për dëbimin e të huajve
Zbulimi i një plani të ekstremit të djathtë për dëbimin e të huajve nga Gjermania mobilizon gjermanët kundër AfD. Demokraci aktive me gjithë vitalitetin e saj, shkruan DW.
Shkak për nisjen e protestave masive u bë zbulimi nga gazetarë investigativë të institutit kërkimor “Correctiv”, se anëtarë të AfD ishin takuar në 25 nëntor në Potsdam, për të diskutuar një plan “riemigrimi”, po të vijë në pushtet AfD në Gjermani. Ekstremisti i djathtë austriak, Martin Sellner, propozoi në atë takim të fshehtë një plan me të cilin “të kthehej mprapsht, vendosja e të huajve” në Gjermani. Me të huaj, ai kuptonte azilkërkuesit, persona me leje qëndrimi në Gjermani, por edhe shtetas gjermanë “të paasimiluar” me origjinë të huaj.
Të gjithë këta do të dëboheshin në një “shtet model” në Afrikën e Veriut. Procesin ekstremistët u quajtën me eufemizëm “riemigrim” (riemigrim = lexo: dëbim). Kjo është ide analoge me idenë e nazistëve, të cilët kishin zgjedhur ishullin e Madagaskarit, si vend deportimi për personat e padëshiruar. Përfaqësuesit e AfD-së në takim, jo vetëm që nuk e kundërshtuan planin, por e mbështetën.
Menjëherë sa u publikua raporti, gjashtë shoqata juristësh gjermanë, ndër ta Federata e Gjyqtarëve Gjermanë dhe Dhoma Gjermane e Avokatisë, thanë se takimi është sulm kundër kushtetutës dhe shtetit juridik. Ata thanë se takimi mund të kthehet në një “konferencë të dytë Wannsee”.
Siç dihet, në vitin 1942, konferenca e Wannsee (Wannsee-Konferenz), po në Potsdam, vendosi të ashtuquajturën “zgjidhje përfundimtare” kundër hebrenjve: koordinimin e shfarosjes sa më efikase të hebrenjve të Evropës.
Reagim i politikës
Brenda pak orësh pas botimit të artikullit investigativ, kancelari Olaf Scholz deklaroi në rrjetin X, se çdo plan për të dëbuar migrantët është “një sulm kundër demokracisë dhe kundër të gjithëve ne”. Pak ditë më vonë, Scholzi dhe ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock morën pjesë vetë në protestën e mbi 10.000 vetëve në Potsdam, kundër ekstremizmit të djathtë. Një sërë politikanësh janë pozicionuar, me fjalime, edhe si pjesëmarrës në demonstrata.
Masivitet historik i protestave
Në protesta deri tani, kanë marrë pjesë rreth 1 milion vetë: ministria e Brendshme foli për 900.000, organizatorët për 1,4 milionë vetë. Protestat më masive qenë në datat 19.01., 20.01. dhe 21.01. Por ato vazhdojnë: 15.000 vetë kanë protestuar ditët e fundit në landin e Rinit-Verior Vestfalisë (NRW).
Janë protestat më të mëdha në historinë e Gjermanisë, pas protestave kundër luftës së Vietnamit dhe lëvizjes qytetare në RDGJ, kujtoi një ekspert. Në disa qytete, si në Mynih dhe në Hamburg, organizatorët u detyruan madje t’i ndërpresin demonstratat për shkak të mbingarkimit të qyteteve nga numri i jashtëzakonshëm i njerëzve. Në Berlin kundër AfD-së demonstruan 350.000 vetë, në Mynih demonstruan 250.000 vetë; në Hamburg 160.000 vetë; 70.000 vetë demonstruan në Këln; 60.000 në Leipzig; 50.000 vetë në Dresden.
Protestues nga të gjitha grupet sociale
Me demonstratat masive pjesëmarrësit përcjellin mesazhin se ka një kufi për të gjitha fantazitë ekstreme, të cilat në fund mund të çojnë në dhunë.
Demonstruesit e këtyre ditëve kundër AfD-së kanë përbërje shumë heterogjene: janë të rinj, të vjetër; liberalë, konservatorë; migrantë; familje, beqarë; gjermanolindorë, gjermanoperëndimorë; çifte homoseksuale. Janë, pasqyra e kundërt e tabllosë së homogjenitetit të popullit, të cilën e kërkon AfD.
Ata organizohen shpesh në formë solidariteti: protestat në një qytet nxisin shtetas në qytete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë.
Vlerësim i protestave në Evropë
Protesta energjike e tyre është dëshmi e pakundërshtueshme se demokracia në Gjermani vazhdon të jetë e gjallë e aktive. Kështu konkludojnë shumica e ekspertëve gjermanë dhe evropianë, të cilët analizojnë masivitetin e protestave. Në Evropë, e përditshmja franceze, Le Monde, shkroi p.sh. se demonstratat janë një reagim i shëndetshëm. Ka dallim të madh, shkroi ajo nga “fqinjët francezë, që janë më pasivë ndaj ekstremit të djathtë, që luan kartën e normalitetit… në Francë”. “Vitaliteti i lidhjes së saj (Gjermanisë) me demokracinë, të cilën sapo e demonstroi, mbetet aseti i saj më i mirë”.
Madje edhe ekstremistja e djathtë franceze, Marine le Pen, tha se ka “dallime ekstreme mendimi” me AfD. Ajo tha se nuk kishte mbështetur kurrë idenë e heqjes së shtetësisë franceze, atyre që e kanë marrë njëherë, megjithë kritikat për marrjen e saj.
Për herë të parë në Gjermani po diskutohet tani gjerësisht mundësia e ndalimit të AfD-së. Por edhe nëse do të niste procedura për ndalimin e AfD – për këtë mjafton kërkesa e 37 deputetëve – suksesi i saj para Gjykatës Kushtetuese Federale është i paqartë. Vetëm dy parti janë ndaluar në RFGJ deri sot: në vitin 1952 Partia Socialiste e Rajhut, që mblidhte nostalgjikë të Hitlerit dhe në vitin 1956, Partia Komuniste e Gjermanisë.
Disa shkaqe pse mbështetet AfD-ja
Edhe në Gjermani, si në çdo vend, ekziston një segment i popullatës, që nuk e vlerëson demokracinë liberale: ka antisemitë, ka njerëz kundër të huajve, ka racistë. Suksesi i AfD-së shpjegohet nga njëra anë me rrethanën se AfD i jep zë politik këtij segmenti social. AfD mbledh përgjithësisht emocione të pakënaqësisë me situatën aktuale në Gjermani.