Gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është e brishtë, vlerësoi shefi i NATO-s

Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë është e brishtë, duke përmendur në veçanti atë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje në Bosnje e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e vogël në dialogun e lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës“, tha Rutte për gazetarë në prag të takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e tensionuar prej vitit të kaluar, veçanërisht pas një sulmi nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, si pasojë e të cilit u vra një polic dhe tre sulmues.

Së voni, NATO-ja ka zhvendosur trupa në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ata dërgojnë “mesazh të qartë” të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësitë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur.

Rutte u zotua se NATO-ja do të mbetet fuqishëm e përkushtuar për misionin e vet në Kosovë, KFOR, i cili ka mbi 4.400 trupa ushtarake në vend.

“Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një ambient të qetë dhe sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. Përkushtimi i NATO-s për KFOR-in mbetet i fuqishëm edhe sot“, theksoi Rutte.

NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.