Çair, mungon gjysma e “Mega-parkut” të premtuar nga Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit (Galeri)

Gjendja e “Mega-parkut” në terren është krejtësisht ndryshe nga fotografitë e digjitalizuara nga projekti i këtij parku, të cilin Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit e promovuan në mars të vitit të kaluar. Kjo hapësirë, edhe paraprakisht ka qenë park, por me projektin e ri është rindërtuar duke i shtuar disa shtigje dhe rekuizita. Parku madje nuk ka as shporta për mbeturina, ndërkaq mungojnë dhe shatërvanët, këndi për fitnes, por një pjesë e lojërave për fëmijë, shkruan Portalb.mk.

Në mars të viti 2023, Qyteti i Shkupit së bashku me Komunën e Çairit në kuadër të programit “Për Shkupin Modern” e promovua “Mega parkun” prej 30 mijë metra katrorë në Çair, gjegjësisht në rrugën Brigada Maqedonase-Kosovare. Një vit më vonë, Portalb.mk, vizitoi këtë hapësirë, e cila me shumë pompozitet u promovua nga autoritetet lokale.

Në promovimin e këtij parku, sipas projektit të promovuar, u tha se do të vendosen dy kënde të reja sportive dhe dy kënde lojërash për fëmijë, por edhe dy kënde për kafshët shtëpiake, një kënd për sport apo fitnes, 26 pushimore, korsi për këmbësorë dhe shatërvanë.

“Në të njëjtën kohë në park janë planifikuar dy kënde të reja sportive, dy kënde lojërash për fëmijë, 2 sipërfaqe parku për kafshët shtëpiake, një për fitnes, 26 belvederë të rinj (shtëpiza-pushimore), pajisje të reja urbane, korsi për këmbësorë dhe shatërvanë” thuhet në programin e projektit të parkut të qytetit të Shkupit. Për më shumë mund t’i shihni fotografitë e projektit:

 

Në shtator të këtij viti, kryetari i Çairit, Visar Ganiu nëpërmjet një postimi në Facebook, rikujtoi se po vazhdojnë punimet për “Mega-parkun” dhe i rikujtoi premtimet

“Pamjet që po ju sjellim sot, janë nga punimet që po zhvillohen për ndërtimin e Mega-Parkut në Çair. Mega-Parku është paraparë të shtrihet në një sipërfaqe prej 30.000 metrash katrorë, me 500 pemë dhe fidanë të rinj, rrjet hidranti të ri dhe lulishte. Në të njëjtën kohë në park janë planifikuar 2 kënde të reja sportive, 2 kënde lojërash për fëmijë, 2 sipërfaqe parku për kafshët shtëpiake, një për fitnes, 26 belvederë të rinj, pajisje të reja urbane, shtigje për këmbësorë dhe shatërvanë”, shkruajti Ganiu para pesë muajsh.

Portalb.mk më 20 shkurt vizitoi parkun për të parë se çka nga ajo që është promovuar është realizuar në terren.

Ajo çka vërejtëm ne është se parku ka drunj mirëpo, siç shihet edhe në fotografitë më poshtë, nuk mund të thuhet se janë mbjellë 500 pemë, ashtu siç është premtuar. Në disa pjesë të parkut ka mungesë të kullosës që shkakton baltë në rast të reshjeve të shiut.

Autoritetet kanë ndërtuar disa shtigje për këmbësorë, me bekatona, ndërkaq kanë vendosur dhe disa ulëse dhe 2 shtëpiza-pushimore, pavarësisht se janë premtuar 26 të tilla.

Prej dy këndeve të lojërave, të cilat në fotografi janë të paraqitura se do të kenë rekuizita moderne, ka vetëm një hapësirë të vogël ku janë vendosur vetëm dy lloje të luhatëseve.

Në park, ende nuk janë të vendosur kosha për mbeturina, ndërkaq mungojnë këndi për ushtrim, këndet moderne me lojëra për fëmijë dhe shatërvanët.

Në park gjithashtu ka një fushë futbolli i cili është i shtruar me bekatona. Stadiumi nuk është i rrethuar dhe ka dukje krejtësisht të ndryshme nga ajo që është prmovuar.

Autorietetet premtuan dhe shatërvane, por të njëjtat ende nuk janë vendosur.

Në park, është ndërtuar një kënd për argëtimin e kafshëve, ndërkaq sipas premtimit do të duhet të ndërtohet edhe një i tillë.

Portalb.mk, kërkoi qëndrim nga Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit se kur do të përfundojë me vendosjen e rekuizitave të tjera, por deri në publikimin e këtij  teksti vetëm nga Qyteti i Shkupit morëm përgjigje.

Nga Qyteti i Shkupit informuan se parku nuk është përfunduar plotësisht dhe se duhet të vendosen edhe pjesët e tjera të planifikuara.

“Mega parku Çair, e ka fituar formën e tij të përgjysmuar, në hapësirë prej 30 mijë metrash katrorë, ku në fazën përfundimtare janë planifikuar përmbajtje hortikulturore dhe urbane.  Peizazhi hortikulturor ka përfunduar me 21,537 metra katrorë. Nga  rregullimi i pjesës përdhese përpos parkut të kafshëve shtëpiake do të vendoset edhe tartanizimi i fushës së madhe sportive,  do të vendosen doreza për ushtrime fizike dhe pjesa tjetër e pajisjeve urbane”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Danella Arsovska i fitoi zgjedhjet në vitin 2021 me programin “Për Shkup modern”, i cili mes tjerash parashikonte dhe ndërtimin e këtij “Mega-parku” me rekuizita moderne, ndërkaq Visar Ganiu me programin “Zgjidh jetë voto blertë”, i cili parashikonte hapësira më të mëdha gjelbërimi në komunë. Nga ajo që Portalb.mk vërtetoi në terren, “Mega-parku” i Çairit është larg nivelit dhe dukjes, të cilën autoritetet e Shkupit dhe Çairit ua kanë premtuar qytetarëve.