Gazetarja Kate Woodsome: Moskujdesi ndaj shëndetit mendor, shfaq pasoja në punë, familje dhe jetën e përditshme

Kate Woodsome, shkrimtare, producente, regjisore dhe gazetare që mbulon tema për shëndetin mendor në “The Washington Post Opinions” thekson se pasojat për moskujdesin ndaj shëndetit mendor shfaqen në jetën e përditshme, produktivitetin në punë dhe marrëdhëniet familjare. Anti-depresantët mund të ndihmojnë, por nuk janë zgjidhje për shërimin e problemeve të shëndetit mendor. Ajo i porositë të rinjtë që të distancohen dhe të mos konsumojnë lajme me përmbajtje nga skenat e tmerrshme të luftërave, pasi kjo ndikon negativisht në mënyrën se si ata e shohin jetën, raporton Portalb.mk.

Woodsome në karrierën e saj të hershme ka punuar si gazetare në Kamboxhia, Kubë dhe Hong Kong dhe më pas  ka menaxhuar një emision televiziv të drejtpërdrejtë  në “Al Jazeera English”. Ajo ka filluar të punojë në “The Washington Post” në vitin 2017 dhe ka fituar çmimin Pulitzer 2022 për Shërbimin Publik për mbulimin e kryengritjes së 6 janarit në Kapitolin e SHBA-së.

Afije Sherifi, gazetare në Portalb.mk, ishte në vizitë studimore në zyrat e “The Washington Post” në Washington D.C ku edhe e takoi Woodsome dhe biseduan për sfidat e përbashkëta që të rinjtë i përjetojnë kur vjen puna te shëndeti mendor.

 Si vendosët që punën tuaj ta fokusoni më shumë për shëndetin mendor?

Kate Woodsome: Jam rritur në një mjedis të vështirë dhe si fëmijë kisha probleme me depresionin dhe ankthin. Mirëpo, kam jetuar edhe punuar si gazetare edhe në Kamboxhia, një vend në pjesën jugore të Gadishullit të Indokinës, në Azinë Juglindore. Një vend i cili ka përjetuar gjenocid, ku kanë humbur jetën më shumë se dy milion njerëz. Ajo çka vëreja unë ishte se populli nuk e përmendte këtë, sikur s’kishte ndodhur asnjëherë. Më dukeshin sikur ata turpëroheshin të flasin për atë që e kanë përjetuar. Më pas, unë fillova të punoj në “The Washington Post” dhe unë isha pjesë e ekipit që raportonte në sulmin e 6 janarit të Kapitolit të SHBA-së ku edhe ne si gazetarë ishim të sulmuar nga protestuesit. Kjo ishte një traumë në vete që zgjoi trauma të vjetra të cilat i kisha përjetuar unë. Ky ishte momenti që unë vendosa që ta fokusoj punën time më shumë në shëndetin mendor, sepse mënyra se si shërohemi nga traumat tona është duke folur për to dhe duke u përballur me to.

Meqë ra fjala te traumat, që kur filloi pandemia e Kovidit, pastaj me luftën në Rusi dhe Ukrainë dhe tash me situatën që është duke ndodhur në Palestinë, rinia ekspozohet në shumë dhunë dhe luftë në rrjetet sociale. A mendoni se desensibilizimi i të rinjve është një nga pasojat e gjithë asaj që kemi përjetuar këto vitet e fundit dhe si do e trajtonit ju si gazetare një situatë të tillë?

Kate Woodsome: Kjo është  një vërejtje shumë e mirë. Ekspozimi i të rinjve në skena tmerruese dhe trupave të vdekur mund të ndikojë te të rinjtë të cilët nuk mund të përballen me skena të tilla dhe si rezultat i kësaj të rinjtë distancohen emocionalisht nga ajo që është duke ndodhur në botë dhe e humbasin pjesën e tyre që shpreh empati ndaj viktimave dhe kjo ndikon negativisht në mënyrën se si ata e perceptojnë jetën.

Këshilla ime për të rinjtë që janë duke e përjetuar këtë është të distancohen për një periudhë nga lajmet, nga të qëndruarit në telefon, të jenë të vetëdijshëm për sasinë e lajmeve që konsumojnë dhe mënyrën se si u ndikon atyre.

Në disa kultura, tema e shëndetit mendor është një tabu temë, cili është çmimi që paguan një shoqëri, e cila nuk ka kulturë të kujdesit për shëndetin mendor?

Kate Woodsome: Vetë fjala shëndet mendor ka një konotacion të rëndë që i bën njerëzit të reagojnë kur e përmendim. Një person duhet të jetë i aftë të kuptojë mënyrat se si mund të jetë i shëndetshëm. Moskujdesi ndaj shëndetit mendor shfaqet edhe në jetën e përditshme, në lidhjet tona me familjarët dhe shoqërinë, në produktivitetin e punës tonë dhe e gjithë ajo që na mundon neve dhe që nuk e kemi shëruar manifestohet në jetën tonë të përditshme.

Në kulturën amerikane, konsumimi i medikamenteve për shëndetin mendor është më e pranueshme nga shoqëria. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me konsumimin e anti-depresantëve nga të rinjtë?

Kate Woodsome: Medikamentet siç janë anti-depresantët janë të krijuara për t’i ndihmuar trurit të funksionojë më lehtë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se gjithçka mund të zgjidhet me medikamente. Rruga deri tek shëndeti i mirë mendor është një kombinim i vetëdijesimit, por edhe sipas nevojës konsumimi i medikamenteve. Është e rëndësishme që ne të jemi të aftë që ta kuptojmë vetveten, të dimë se çka na bën të lumtur por edhe të kujdesemi për shëndetin tonë fizik. Nëse ne konsumojmë ushqim jo të shëndetshëm,  e teprojmë me alkool normalisht që kjo do të ndikojë edhe në mirëqenien tonë psikike. Por në qoftë se ne ushqehemi mirë, kemi kujdes për sasinë e alkoolit që konsumojmë atëherë do të vërejmë se jemi më të qetë dhe se ankthi dhe depresioni zvogëlohen.

Nëpër rrjetet sociale, shëndeti mendor romantizohet nga të rinjtë si një proces i lehtë. Sipas jush, si ndikon kjo te të rinjtë?

Kate Woodsome: Rrjetet sociale janë një mirazh, një performancë, ashtu siç ndikojnë skenat e luftës te ne, postimi i tepërt për shëndetin mendor gjithashtu ndikon te ne, e shtrembëron realitetin. Shëndeti mendor është një proces i rëndë dhe duhet të kemi kujdes për mënyrën se si e paraqesim atë në rrjetet sociale.

A keni ju ndonjë mesazh për të rinjtë të cilët janë rritur në një mjedis ku kujdesi i shëndetit mendor ka qenë më i vështirë?

 Kate Woodsome: Mesazhi im për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është se ju meritoni të ndjeheni të sigurt, të dëgjuar dhe të dashur. Mësoni ta duani vetveten dhe kështu do të jeni të respektuar dhe më të fuqishëm.