Gazetaria lokale në RMV në rrezik: Presionet politike, pasiguria ekonomike dhe pabarazia gjinore minojnë lirinë e medias
Edhe pse gazetaria në Maqedoninë e Veriut nuk përballet zyrtarisht me mjedis sistematikisht armiqësor, presionet politike, paqëndrueshmëria ekonomike, dinamikat gjinore, përhapja e dezinformimit dhe besimi i zvogëluar në profesion kufizojnë rëndë lirinë dhe pavarësinë e medias – veçanërisht në nivel lokal. Kjo konfirmohet nga një analizë e re nga Reactor – Hulumtim në veprim, e titulluar “Gazetaria lokale në rrezik: Presionet politike, pasiguria ekonomike dhe pabarazia gjinore minojnë lirinë e medias”, e cila ofron pasqyrë të rrallë dhe të detajuar mbi gjendjen dhe kushtet e gazetarisë lokale në vend, transmeton Portalb.mk.
Duke u bazuar në analizat ekzistuese, të plotësuara nga intervista të thella me gazetarë dhe ekspertë vendas, raporti tregon se si faktorët socio-politikë, ekonomikë dhe gjinor ndërthuren dhe ndikojnë në punën e gazetarisë lokale. Hulumtimi hartëzon mekanizmat specifikë përmes të cilëve ushtrohet presion dhe puna e pavarur pamundësohet ose vështirësohet, por edhe si dhe në çfarë mase gazetarët merren me to.
Gjetjet tregojnë se gazetaria lokale vepron në kushte burimesh të kufizuara, afërsie me qendrat e pushtetit dhe ekspozimit në rritje ndaj presioneve, gjë që dëmton drejtpërdrejt rolin e saj si mbrojtëse e interesit publik. Numri i zyrave editoriale lokale po zvogëlohet, kushtet e punës janë të pasigurta dhe gazetarët shpesh detyrohen të punojnë për shumë media njëkohësisht. Në të njëjtën kohë, rënia drastike e interesit për profesionin e gazetarisë tregon një krizë afatgjatë në qëndrueshmërinë e sektorit.
Dimensioni gjinor i thellon më tej këto sfida. Gazetaret gra, të cilat janë shumica në profesion, përballen jo vetëm me pasiguri ekonomike, por edhe me ngacmim, diskriminim dhe mbrojtje të pamjaftueshme institucionale për shkak të gjinisë. Këto probleme shpesh mbeten të padukshme dhe të normalizuara si “pjesë e punës”, gjë që krijon një kulturë heshtjeje dhe vetëizolimi.
Megjithatë, gazetarët po ndërtojnë dhe angazhohen gjithnjë e më shumë në mënyrë të vetëdijshme dhe aktive në rrjete informale, shoqata sindikale dhe po ushtrojnë solidaritet kolegjial, me iniciativa gazetareske të udhëhequra nga gratë – të tilla si “Ednakva” dhe programi i PINA-s për gazetaret gra- që luajnë një rol kyç në ofrimin e mbështetjes dhe rezistencës, veçanërisht aty ku mekanizmat institucionalë dështojnë. Megjithatë, këto praktika nuk mund ta zëvendësojnë nevojën për zgjidhje sistemike dhe të përmbushin nevojën për mbështetje të decentralizuar.
Sot, më shumë se kurrë, gazetaria lokale (hetimore) luan një rol kyç në ekspozimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Shembujt tregojnë se janë gazetarët lokalë ata që arrijnë të iniciojnë ndryshime konkrete në komunitete – nga përmirësimet në infrastrukturë deri te rritja e llogaridhënies së institucioneve – pavarësisht burimeve të kufizuara dhe rreziqeve me të cilat përballen.
Masat urgjente dhe sistemike janë të nevojshme për të forcuar lirinë e medias dhe qëndrueshmërinë demokratike. Raporti është në përputhje me rekomandimet e SHGM-së dhe SPGPM-së për të krijuar një fond të pavarur për pluralizmin e medias, mbështetje financiare të synuar për median lokale, forcimin e të drejtave të punëtorëve dhe futjen e mekanizmave të ndjeshëm ndaj gjinisë për mbrojtjen e gazetareve gra. Përveç kësaj, është e nevojshme të investohet në kapacitete teknike, të mbështeten rrjetet informale të solidaritetit dhe të inkurajohen të rinjtë të hyjnë në profesion.
Hulumtimi arrin në përfundimin se pa njohur kushtet specifike në të cilat vepron gazetaria lokale – dhe pa përfshirë një perspektivë gjinore – nuk është e mundur të ndërtohet një mjedis mediatik i qëndrueshëm, i pavarur dhe vërtet demokratik.
Me këtë hulumtim, “Reactor” kujton se pa njohur kushtet specifike në të cilat vepron gazetaria lokale – dhe pa përfshirë një perspektivë gjinore – nuk është e mundur të ndërtohet një mjedis mediatik i qëndrueshëm, i pavarur dhe vërtet demokratik.
Autorët e studimit janë studiueset Dusica Lazova dhe Jana Dimitrova, dhe është rezultat i projektit “Thyerja e heshtjes: Korrupsioni, pushteti dhe liria e medias përmes një Prizmi gjinor” i mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Luksemburgut.