Gazetarët ndërkombëtarë i kërkuan Izraelit të lejojë reporterët të hyjnë në Gaza pas marrëveshjes së armëpushimit

Organizatat ndërkombëtare të gazetarëve po i bëjnë thirrje Izraelit që të lejojë menjëherë qasjen e mediave të huaja në Rripin e Gazës, raporton Guardian.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, Shoqata e gazetarëve të huaj (FPA) i bëri thirrje qeverisë izraelite që “të hapë menjëherë kufijtë e saj dhe të lejojë qasje të lirë dhe të pavarur në Rripin e Gazës për mediat ndërkombëtare”.

Që nga 7 tetori 2023, Izraeli nuk ka lejuar gazetarët e huaj të hyjnë në Gaza, përveçse nën mbikëqyrje të rreptë ushtarake në turne të organizuara nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit. Mediat ndërkombëtare mbështeten kryesisht te gazetarët dhe punonjësit e medias palestinezë që raportojnë nga terreni, si dhe te civilët, organizatat e ndihmës dhe personeli mjekësor.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), 197 gazetarë dhe punonjës të medias palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në dy vitet e fundit, duke e bërë Gazën vendin më vdekjeprurës në botë për gazetarët.

Ndër të fundit që u vranë janë Mariam Dagha,  gazetare për Associated Press dhe Independent Arabia, dhe Hussam al-Masri i Reuters, të cilët u vranë në një sulm izraelit në Spitalin Nasser në Khan Younis më 25 gusht.

Të premten, raportuesi special i OKB-së, Maurice Tidball-Binz, tha se sulmi izraelit në Libanin jugor më 13 tetor 2023, i cili vrau gazetarin e Reuters Issam Abdallah dhe plagosi gjashtë gazetarë të tjerë, përbënte krim lufte. Ai e përshkroi sulmin si “sulm të dyfishtë të planifikuar dhe të synuar” që shkeli ligjin ndërkombëtar humanitar.

FPA i bashkohet një liste të gjatë organizatash ndërkombëtare që vitet e fundit kanë bërë thirrje për qasje të medias në Gaza. Në korrik 2025, një numër agjencish botërore, përfshirë AFP, AP, BBC dhe Reuters, lëshuandeklaratë të përbashkët duke theksuar rëndësinë e raportimit të pavarur në terren. Një vit më parë, CPJ dhe mbi 70 organizata mediatike dhe të shoqërisë civile i bënë thirrje Izraelit të lejojë qasje të lirë për gazetarët.

Në shkurt të vitit 2024, më shumë se 30 media nënshkruan letër duke bërë thirrje për mbrojtje më të madhe për gazetarët në Gaza.