Gaza e “deradikalizuar” dhe plani i paqes: propozimi i Trumpit që sfidon qëndrimin e Netanyahut për Palestinën

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka pritur të hënën kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se ka pritje të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje për luftën në Gazë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – në tokën izraelite, në tetor të vitit 2023. Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake për ta shkatërruar Hamasin.

Në një dokument të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, të përbërë prej 20 pikash, përmendet se Gaza do të shndërrohet në “zonë të deradikalizuar dhe pa terror” dhe që nuk do të përbëjë kërcënim për fqinjët.

Trump ka thënë të dielën në rrjete sociale se “të gjithë pajtohen për diçka speciale për herë të parë”, dhe i ka përmendur bisedimet që i ka zhvilluar me liderë arabë në Kombet e Bashkuara një javë më parë.

Netanyahu, në anën tjetër, ka dhënë pak arsye për shpresë, pasi në fjalimin e mbajtur të premten në Kombet e Bashkuara, ai është zotuar për “të përfunduar punën” kundër Hamasit dhe e ka kundërshtuar shtetësinë palestineze – e cila është njohur së fundmi nga disa shtete perëndimore.

Aktualisht shtetësia palestineze njihet prej 75 për qind të 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump dhe Netanyahu kanë biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.

Mediat kanë raportuar se kryeministri izraelit i ka kërkuar falje al-Thanit për sulmet e Izraelit në Doha më herët gjatë këtij muaji.

Ka raportime që edhe Trumpi ka biseduar me emirin e Katarit, Sheikun Tamim bin Hamad al-Thani, para takimit me Netanyahun.

Katari ka pasur rol kyç në konflikt meqë ka qenë nikoqir i negociatave në mes të Izraelit dhe Hamasit, mirëpo ky qëndrim është sfiduar pas sulmit të Izraelit në Doha.

Katari e ka dënuar sulmin dhe e ka parë si “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se do të ketë konferencë për media pas takimit, dhe sinjalet janë që Trump mund ta bëjë të ditur ndonjë marrëveshje.

“Ai dëshiron që kjo luftë të marrë fund, ai dëshiron që të gjitha pengjet të lirohen”, ka thënë Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt para gazetarëve të hënën.

Ofensiva izraelite në Gazë ka lënë të vdekur mbi 66 mijë palestinezë, kryesisht civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat OKB-ja i konsideron kredibile.