Gashi e ktheu për plotësim iniciativën e LSDM-së dhe Levicës për Komision Hetimor për Koçanin, deputetët e pushtetit paraqitën të tyren

Nisma për krijimin e një Komisioni Hetimor në parlament për tragjedinë në kabarenë e ashtuquajtur “Pulse” në Koçan, e cila u dorëzua javën e kaluar nga LSDM, dhe të cilës iu bashkua edhe Levica, do të kthehet për finalizim sepse ka mangësi. Kjo u njoftua sot në një takim informues me gazetarët nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili shtoi se sapo të korrigjohen mangësitë, nisma do të vihet menjëherë në procedurë, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi Gashi, nisma është e parregullt sepse bie ndesh me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Sipas tij ajo del jashtë fushëveprimit të nenit 124 të Rregullores së Punës sepse dy partitë opozitare kërkojnë që Komisioni Hetimor për tragjedinë në Koçan të përbëhet nga 15 anëtarë dhe shumica në të të mbahet nga partitë opozitare.

Zakonisht, sipas Rregullores së Punës, shumica në komisione të kësaj madhësie, siç tha Gashi, duhet të mbahet nga partitë në pushtet.

Gashi tha se sapo iniciatorët e nismës të eliminojnë këto mangësi dhe ta finalizojnë dokumentin, ai do të vihet menjëherë në procedurë.

Nga ana tjetër, partitë e shumicës në pushtet nuk pritën që kolegët e tyre të opozitës të shprehnin pikëpamjet e tyre mbi nismën, kështu që paraqitën të tyret.

Grupet parlamentare të VMRODPPMNE, VLEN dhe ZNAM, të cilat qëndrojnë pas nismës, propozojnë gjithashtu ngritjen e një Komisioni Hetimor. Megjithatë, përveç tragjedisë në Koçan, ata kërkojnë që të shqyrtohen edhe rastet e mëparshme, për të cilat besojnë se shumica qeverisëse nuk mori një zgjidhje të përshtatshme ligjore.

Përveç zjarrit në “Puls”, shumica qeverisëse kërkon që komisioni hetimor të shqyrtojë edhe rastet e aksidenteve me autobusë të “Durmo Tours” dhe “Besa Trans” dhe zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

Deputetët e LSDM-së dhe të koalicionit paraqitën një iniciativë të martën (18 nëntor) për të krijuar komision hetimor për tragjedinë e Koçanit. Iniciativës, e cila ishte gjithashtu pjesë e kërkesave të familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve në zjarr, iu bashkuan edhe deputetë nga Levica.

VMRODPMNE, më herët po atë ditë, tha se do të mbështesë formimin e një komisioni hetimor, por me një kërkesë që ai të zgjerohet dhe që të diskutojë edhe për tragjedi të tjera që kanë ndodhur në vend në vitet e fundit dhe që kanë marrë një numër të madh jetësh njerëzore.

Ndër vite, Kuvendi ka formuar disa komisione anketuese. Më i fundit ishte ai për rastin me barnat për pacientët me kancer ose i njohur në opinion si “Onkologjia”, për të cilin dimë që nuk është se solli diçka të re ose se hodhi më tepër dritë mbi rastin. Madje nuk u dëgjua as u raportua për konkluzionet e këtij komisioni.

Komisionet të tilla më herët ka pasur edhe për vrasjen e Almir Aliut, 4-vjeçarit nga Kumanova, për rastet “Sopot” dhe “Monstra”. Megjithatë, në të gjitha rastet, komisionet anketuese nuk kanë sjellë asnjë rezultat.