Ganiu: Qytetarët më së shumti ankohen për çështje sociale, decentralizimi po na shkakton problem

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu bashkë me udhëheqësit e sektorëve sot ka mbajtur takimet e rregullta me banorët e komunës, të cilët kanë pasur mundësi të japin sugjerime, ide apo të bisedojnë për nevojat e tyre. Ganiu, për Portalb.mk deklaroi se interesimi më i madh për ta takuar atë është për çështjet sociale.

Gazetari i Portalb.mk gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Komunën e Çairit ku për të parë nga afër takimet e qytetarëve të Çairit, me kryetarin Ganiu. Për shkak të karakterit dhe natyrës së çështjeve, takimet, sipas autoriteteve komunale organizohen në mënyrë individuale, pasi që edhe problemet janë individuale.

Ganiu, në një bashkëbisedim me gazetarin e Portalb.mk, theksoi se qytetarët më së shumti e takojnë për çështje sociale, ndërkaq decentralizimi shkakton probleme të mëdha pasi që komuna nuk mund t’i zgjidh problemet deri në fund.

“Qytetarët vijnë për çështje sociale edhe ajo shihet që nuk janë mirë të informuar dhe nuk i dinë ingerencat dhe jo rastësisht ne çdo herë e përsërisim se çështja e decentralizimit është tepër e vonuar dhe ajo shkakton probleme ose ne që jemi të zgjedhur apo pushteti lokal nuk mundet deri në fund të jetë në shërbim të qytetarëve për shkak se çështjet infrastrukturore nuk janë të organizuara dhe lagje për lagje vijnë me kërkesa, me nënshkrime. Ne ato i precizojmë dhe i vendosim në program te sektori urbanizmit dhe më pas ato i parashohim në buxhetin çdoherë që pason”, tha Ganiu.

Në lidhje me takimet e hapura, ku të gjithë qytetarët së bashku të diskutojnë për çështje të caktuara në Komunën e Çairit, Ganiu thekson se nuk e sheh asnjë pengesë që në të ardhmen të bëjë diçka të tillë, megjithatë takimet sikur të sotmet organizohen në mënyrë që çdokush të dëgjohet individualisht.

Ndryshe, takimi me qytetarët është premtim i Ganiut në programin zgjedhur, ku në një pjesë të tij, të quajtur “Agjenda e derës së hapur”, Ganiu premton se “ Nuk guxon të ketë derë të mbyllur për hallin e qytetarit. Të gjithë qytetarët do të kanë qasje të plotë tek kryetarët e komunave sepse komuna është e tyre”.