Fundi i Dodikut

Miguel de Cervantes beson se duke kënduar ne në fakt i trembim pikëllimet tona për t’i larguar ato nga ne. Disi ne e lehtësojmë shpirtin tonë.

“Ne jemi më të fortë se fati” është kënga më e dashur e liderit shumëvjeçar formal dhe joformal të serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik. Hobi i tij është të kërcënojë vazhdimisht me shkëputje nga BeH. Brutal dhe vulgar ndaj BE-së (ndonjëherë edhe SHBA-së). Ai i konsideron aleatë normalë vetëm Rusinë, Hungarinë dhe Serbinë, e së fundmi edhe Shkupin! Sikur nuk kuptojmë se duhet të kemi kujdes nga budallenjtë, se edhe nga ne do të bëjë një të tillë. Për shtetet perëndimore, ai tashmë ka një arsenal të shkëlqyer epitetesh: “Evropianë të qelbur”, “Gjermanë të ndyrë”, “Evropë e vdekur”. Disa prej këtyre epiteteve i dëgjuam në Shkup kur Dodik u ftua nga qeveria si mysafir i shquar. Ai shpesh kërkon të takohet me Putinin në Moskë, i cili është plotësisht i bezdisur me të. Në një rast, Dodik nxitoi ta përqafonte, por ai nuk pranoi dhe e largoi me arrogancë.

Dodik me shfaqjet e tij teatrale ka paralajmëruar shkëputjen e gjysmës së Bosnjë-Hercegovinës dhe ai në fakt me këso lëvizje vetëm se po forcon me paskrupullti pozicionin e tij në fushën e brendshme. Ai nuk ishte i tillë në fillimet e karrierës së tij politike, por të paktën ai është një kalkulator i thjeshtë dhe di të luaj me nacionalizëm. Madje dihet se kur turpi zhduket, nuk kthehet më.

Milo – më i pasuri në rajon?!

Dodik është një nga politikanët më të pasur në rajon, nëse jo më i pasuri. Ai zotëron tokë të madhe bujqësore, një monopol në industrinë e ndërtimit dhe IT, restorante të shumta, objekte të tjera hotelierike dhe media. Gazetarë dhe OJQ të shumta pohojnë se “nuk ka asgjë në të cilën familja e tij nuk ka dorë”. Pasuria e tij llogaritet në disa qindra milionë euro. Para kësaj, ai ishte thjesht një “rrugaçr”, thonë ata. Ai tani zotëron një vilë të madhe në Beograd dhe ka një pronë të madhe në Laktassh, apartamente kudo dhe një shtëpi të madhe familjare.

Gjatë luftës nuk ka qenë aktiv në strukturat ushtarake serbe në BeH, por është marrë hapur me kontrabandën e produkteve ushqimore, karburanteve, cigareve etj. Që atëherë, ai është mbiquajtur “Mile-Ronhill”. Ai u pasurua nga furnizimet ushtarake, por politikisht deri atëherë kishte qenë një person i margjinalizuar. Por, kur Millosheviçit, nën presionin e SHBA-së, iu desh të largonte kuadrot e vjetra të komprometuara serbe në Bosnje, ai i sugjeroi Dodikut që të formonte një lloj partie të moderuar socialdemokrate. Kjo do të thotë, derisa Millosheviqi, nën presionin e SHBA-së, vendosi të nxjerrë jashtë loje politikanët e atëhershëm serbë të Bosnjës, të cilët tashmë ishin etiketuar “kriminelë lufte” (Karaxhiq, Plavçiq, Mlladiç, etj.). Por, idili mes Millosheviqit dhe Dodikut të “dëgjueshëm” nuk zgjati shumë. Dodik në pranverën e vitit 1999, pas sulmit të gjithanshëm të NATO-s ndaj Serbisë, i dha Aleancës disa “forma të vëmendjes” të “vogla”, por të rëndësishme. Ai hoqi dinarin helmues “Topçider” të Millosheviçit nga Republika Srpska nga sistemi i pagesave të “entitetit të tij”, duke ndërprerë rrjedhën e gjakut financiar të Serbisë. Më pas ai ia dorëzoi me bujari territorin e Republikës Srpska “agresorit të NATO-s” si një platformë e nevojshme për informacion, propagandë dhe operacione inteligjente kundër Beogradit. Në të njëjtën kohë, i pengoi serbët e kësaj ane të Drinës, të cilët ishin ende të nxehtë për luftë, të solidarizoheshin me vëllezërit e afër fqinj në mbrojtje të serbizmit.

Nga “perëndimori” në “putinist”!

Si lider i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ai e trajton Republikën Srpska si shtetin e tij privat. Pothuajse nuk ka sektor në të cilin kompanitë e tij nuk janë të lidhura me biznese të dyshimta në një mënyrë apo në një tjetër. Dodik thjesht u bë simbol i mega-kriminit të organizuar në entitetin e tij dhe më gjerë. Kjo është arsyeja pse ai mori sanksione të forta nga SHBA dhe Britania e Madhe – në formën e rëndë të listimit të zi. Por, i inkurajuar nga afërsia me Putinin, ai u tha amerikanëve dhe britanikëve: “lidhini ato sanksione në bishtin e maces”!

Por kur u bind se Trump po fitonte në SHBA, në daljet publike Dodik mbante shpesh kapelen e Trumpit “MAGA”, madje duke e festuar fitoren e tij me bollëk, sepse besonte fort se ai do ta trajtonte si aleati i tij! Madje ai ishte i bindur se SHBA-të do të ishin kundër protestave studentore në Serbi, ndaj ra lehtësisht në grackën e Vuçiqit, i cili doli me një plan për të shpëtuar lëkurën e tij politike pikërisht nga ato protesta masive studentore. Ai e udhëzoi Dodikun që të ndalonte institucionet kryesore federale të Bosnjë-Hercegovinës të funksiononin në Republika Srpska, gjoja si reagim ndaj aktgjykimit ndaj tij, i cili “çuditërisht” erdhi mu në një kohë të artë për Vuçiqin, i cili nuk mund të gjente një formulë për të shpëtuar veten nga studentët!

Vuçiq, “alarmanisht” mori një avion special për në Banja Lukë dhe mbajti një fjalim nga aeroplan për herë të parë, pasi Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik ishte dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim nga angazhimi në politikë nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH Shmit. “Kemi përfunduar seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ja ku jemi në aeroplan në rrugën tonë për në Banja Lukë pas vendimit të turpshëm…që synon të shkatërrojë Republikën Srpska…”

“Ne jemi duke u përballur me sanksione nesër që nga ora 6 e mëngjesit për shkak të NIS-it, kurse njëherit po tentohet revolucion ndaj meje përmae protestave laramane, por pavarësisht gjithçkaje dhe pavarësisht përpjekjeve të shumë njerëzve për të shkatërruar Serbinë dhe popullin serb, ne do të fitojmë”, përfundoi Vuçiq nga avioni. Madje Vuçiq i udhëzoi disa politikanë proserbe në Mak të Zi në këtë “strategji” të lirë për të fituar studentët.

Por lumturia shpesh është jetëshkurtër. Ndonjëherë, mu aty ku fle shpresa, të pret fatkeqësia! Një urdhër “katil-ferman” me emrin dhe mbiemrin e Dodik u dërgua drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara, pikërisht nga Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio: “Veprimet e Presidentit të Republikës Srpska Milorad Dodik minojnë institucionet e Bosnjë-Hercegovinës dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj”. Dhe ai u bëri thirrje partnerëve në rajon që t’i bashkohen Uashingtonit për të kundërshtuar këtë “sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”. Kurse ne në Maqedoninë e Veriut si përkrahës të “normales së re” kemi filluar të sillemi si anormalë! Nuk arritëm të kuptonim me kohë se nuk duhet t’i afrohesh cjapit nga përpara, kalit nga mbrapa dhe budallait nga asnjë anë.

Filmi ka mbaruar për Dodikun. Ky është fundi i karrierës së tij politike. Me shumë gjasa ai do të paguajë dënimin me burg, sepse ligji e lejon, përderisa dënimi nuk është më shumë se një vit, por më në fund do t’i duhet t’i japë lamtumirën politikës. Çfarë do të ndodhë me krimet e tij, ky është episodi i dytë i filmit!

Do t’i mungojnë përqafimet me Putinin. Askujt nuk i duhet më ai si Dodik, përveç ndonjë gjykate tjetër për shumë gjëra të tjera. Por fakti është se Dodik ka një talent të jashtëzakonshëm për të kënduar. Kënga e tij e preferuar është “Ne jemi më të fortët se fati”. Por disi nuk ka arritur të mësojë këngën “Jemi më të fortët se aktgjykimi”!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.