Forumi Rinor Arsimor RMV: Nevojitet integrim i teknologjisë së informacionit dhe tendencave digjitale në mësimdhënie
Nxënësit meritojnë metoda moderne të të mësuarit, të menduarit kritik dhe integrimin e teknologjisë së informacionit dhe tendencave digjitale në mësimdhënie, si dhe investimin në kërkimin shkencor dhe forcimin e pavarësisë së nxënësve. Ky është qëndrimi i Forumit Rinor Arsimor (FRA), në ditën e parë të shkollës, transmeton Portalb.mk.
“Sot, më 2 shtator, rreth 67 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe 180 mijë nxënës të shkollave fillore ulen në bankat shkollore me dëshirën për njohuri dhe përvoja të reja. Por a do ta nisin vërtet vitin shkollor në një mjedis që i përgatit për të ardhmen? Jemi dëshmitarë se sistemi ynë arsimor ende po përballet me sfida të mëdha”, thonë nga atje.
Ata përkujtojnë se hulumtimet tregojnë se nxënësit e vendit tonë janë shumë nën mesataren botërore në arritjet arsimore.
“Dita e parë e shkollës duhet të jetë fillimi i ndryshimeve thelbësore në arsim. Është koha që shkollat të kthehen në qendra të dijes dhe inovacionit dhe modele të reja arsimore të edukimit përmes të cilave të rinjtë do të marrin mbështetje dhe inkurajim për të arritur potencialin e tyre të plotë”, theksojnë nga FRA.
Nxënësit, sipas tyre, meritojnë një sistem arsimor që do t’i motivojë dhe do t’u mundësojë të zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre, të kenë një qëndrim që do të krijojë qytetarë aktivë.
“Duhet përditësimi i materialeve mësimore dhe investimi e puna e vazhdueshme me pedagogët dhe stafin arsimor. Nevoja për respektimin e të drejtave dhe nevojave të personave me zhvillim atipik është edhe më e madhe, duke përfshirë sensibilizimin e stafit mësimdhënës, sigurimin e asistentëve edukativë, infrastrukturës dhe kushteve të përshtatshme për mësim”, thonë nga FRA.
Kujtojmë se, në vetëm dhjetë vjet, në vend ka dhjetë përqind më pak nxënës në shkollat fillore dhe të mesme. Në shifra absolute, pra 27 mijë nxënës më pak, tregon hulumtimi i Qendrës për Komunikime Civile (QKC), sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS).
Përndryshe, sot ka filluar viti i ri shkollor. Mësimi në vitin e ri shkollor nuk do të zgjasë më shumë se data 10 qershor dhe nuk do të ketë pushim pranveror. Mësimi me një turne është futur në 140 shkolla dhe mbi 1000 asistentë arsimorë do të punësohen për të mbështetur nxënësit me aftësi të kufizuara.