RMV, sot filloi viti i ri shkollor, këtë herë pa pushim pranveror dhe me mësim me një turn në 140 shkolla
Mësimi në vitin e ri shkollor nuk do të zgjasë më shumë se data 10 qershor dhe nuk do të ketë pushim pranveror. Mësimi me një turne është futur në 140 shkolla dhe mbi 1000 asistentë arsimorë do të punësohen për të mbështetur nxënësit me aftësi të kufizuara, transmeton Portalb.mk.
Kështu deklaroi dje ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në një konferencë për media para fillimit të sotëm të vitit të ri shkollor 2024/2025.
Ajo tha se, për herë të parë pas shtatë vitesh, viti shkollor fillon me dorëzimin e teksteve shkollore në kohë në të gjitha shkollat fillore në vend dhe se janë dhënë dhjetëra tituj të rinj në arsimin fillor dhe mbi njëqind në arsimin e mesëm që nuk kanë qenë të shtypura deri më tani.
“Të gjitha tekstet shkollore që janë miratuar dhe shtypur tashmë janë dorëzuar në këto 60 ditë në tirazh prej 360.000 ekzemplarësh”, tha Janevska.
Megjithatë, nuk do të ketë tekste për të gjitha lëndët, në disa raste do të përdoren materiale mësimore.
“Për lëndën e historisë dhe shoqërisë për klasat e pesta dhe të gjashta, si dhe për lëndët e historisë dhe gjeografisë për klasën e shtatë kemi siguruar materiale të shtypura në të 5 gjuhët mësimore, duke qenë se nuk kishte tekste të miratuara. Gjithashtu kemi siguruar materiale mësimore për gjuhën dhe kulturën e komuniteteve në të gjitha paralelet ku nuk ka pasur tekst shkollor”, tha Janevska.
Në arsimin fillor do të mungojnë tekstet për gjuhë të huaja, nga e para deri në të nëntën, dhe këtë Janevska e arsyeton me faktin se udhëheqja e mëparshme në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencëse anuloi procedurën për prokurim publik, kështu që vendimi ishte në fazën e ankesës që ende është në procedurë.
“Në sferën e arsimit të mesëm kemi konstatuar se vitin e kaluar janë shtypur vetëm 15 tituj për arsimin e mesëm profesional dhe tani po shtypim mbi 100 tekste që nuk janë shtypur më parë. Gjithashtu dua t’ju informoj se kanë filluar aktivitetet përgatitore për zhvillimin e kurrikulave dhe programeve të reja në arsimin e mesëm dhe ato do të aplikohen nga viti shkollor 2025-2026. Në bazë të tyre do të zbatohen procedurat për miratimin e teksteve të reja”, tha ministrja.
Janevska tha se zbatimi i konceptit të ri për arsimin fillor është vonuar në klasat e shtata, teta dhe të nënta.
“Aktualisht jemi duke u konsultuar me mësuesit dhe të gjitha komentet e tyre do të integrohen në programet e reja që do të përgatiten nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe do të futen në shkolla në faza gjatë tre viteve të ardhshme, vit pas viti, duke filluar nga viti 2025-2026. Ne do t’i kthehemi rishikimit të plan-programeve në klasat e ulëta, sepse situata atje është identike”, theksoi Janevska.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës tha se qëndrimi i Ministrisë dhe Qeverisë është se rritja e pagave për mësimdhënësit është paraparë në vitin 2025 dhe këtë vit nuk ka pasur mundësi të ndërhyhet.
“Është plotësisht e kuptueshme që mësuesit kanë të drejtë, ata kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre dhe unë u qëndroj plotësisht pranë.“Apeloj, të durojmë një periudhë të shkurtër dhe së bashku ta kalojmë krizën, e cila është rezultat i menaxhimit të keq dhe të pakujdesshëm të parave nga menaxhmenti i mëparshëm”, tha Janevska.
Viti i ri shkollor fillon sot për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Ky numër, tha Janevska, është ulur për 17 mijë në shtatë vitet e fundit. Në të njëjtën periudhë numri i nxënësve të klasës së parë në vend u ul me rreth 3500.