RMV, si funksionon skema piramidale online “Konti”? Fitim i lehtë, pasoja të rënda në humbje të parave

“Platformë argëtuese që e integron produksionin e filmit, ndërveprimin social dhe përvojën fantastike. Koncepti është “shiko që të fitosh para”, me atë që anëtarët fitojnë para duke shikuar promovime filmash, trailera dhe kështu e ndryshojnë mënyrën tradicionale të promovimit të filmave.” Ky shpjegim për atë se çfarë është aplikacioni dhe si funksionon do ju dalë në telefonin tuaj nëse e kërkoni aplikacionin Konti (Conti). Por e vërteta është se paratë vijnë nga anëtarët e rinj dhe përfundojnë tek ata që janë në krye të piramidës, pra që janë inkuadruar më herët në këtë “skemë”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pas përdorimit të këtij aplikacioni dikush del më i pasur, ndërsa dikush për qindra apo edhe mijëra euro më i varfër. Dikush jepet pas skemave piramidale dhe edhe krahas rrezikut investon gjithçka në to, ndërsa dikush klikon me kujdes. Sido që të jetë investimi është shumë i madh, sidomos për banorët e Kavadarit, Radovishit dhe Velesit, të cilët prej muajsh janë dhënë pas kësaj skeme piramidale, e cila funksionon duke paguar në kriptovaluta – diçka që në vendin tonë nuk është e paligjshme, por as edhe e rregulluar.

Аplikacioni “Konti” (i cili nuk është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë) ka pothuajse një vit që funksionon. Por e gjithë kjo është një sekret publik, sepse mesa duket përderisa fitohen para, nuk ka pse të diskutohet. Kjo ishte kështu deri dje, kur filloi të shuhet grupi në platformën sociale “Telegram”, ndërsa përdoruesit nuk kishin më qasje në “Binance” – një platformë për  tregtimin me kriptomonedha. Disa prej tyre, rreth 14.000 anëtarë nga Maqedonia në grupin Telegram nga dje kanë bilanc zero, disa prej tyre kanë fitime prej mijëra eurosh, por disa, edhe pse kanë marrë kredi të shpejta për fitime të shpejta përmes këtij aplikacioni, kanë investuar të gjithë pagën apo pensionin e tyre – mbetën për mijëra euro më të varfër.

Në rrjetet sociale sot po flitet me të madhe për këtë mënyrë piramidale të fitimit të parave, pas së cilës, sipas informacioneve të Meta.mk, si themelues, pra menaxherë, qëndrojnë disa të rinj nga Maqedonia lindore. Emrat e tyre janë të njohur për redaktorët e Meta.mk, por nuk do të publikohen ende.

Si funksionojnë skema piramidale?

“Nuk kishte ditë që të ulesha në një kafene e të mos flitej për “Kont”-in. E përdornin të gjithë ata që i njihja unë. Një nga shokët e mi më tha, eja të të përfshi edhe ty, nuk ka shans të humbasësh, paratë e investuara do i kthesh shumë shpejt, e pastaj do kesh vetëm fitime. E pyeta se çfarë duhet të bëja, dukej e lehtë – të depozitoj një shumë të caktuar parash, ta instaloj aplikacionin, ta instaloj Telegramin dhe pastaj të klikoj “Like” në sugjerimet për filma. Unë pranova, derisa gjërat dolën jashtë kontrollit, sepse e dini, syri i njeriut është i pangopur…”

Tregoi kështu për Meta.mk një nga përdoruesit e aplikacionit “Konti”, i cili ka filluar ta përdorë atë në maj të këtij viti. Fillimisht ka investuar 750 dollarë.

“Keni disa pako, VIP 1 i cili kushton 50 dollarë, VIP 2 i cili është 200 dollarë, ndërsa VIP 3 është 500 dollarë. Nëse dëshironi t’i bleni të tre pakot ju paguani 750 dollarë dhe klikoni “Like” për filmat, por edhe mund të ftoni njerëz të rinj që të përfshihen, keni një afat kohor prej 75 ditësh. Për 25 ditë i ktheni paratë që i keni investuar dhe ju mund t’i merrni ato, e pastaj keni vetëm fitim. Dhe vërtetë kisha fitim, fitim prej 750 euro brenda atyre 75 ditëve, fitova madje edhe tre herë më shumë – 2.250 euro. Kjo edhe më bëri të vendos që të bëj edhe një raund të dytë, t’i investoj sërish paratë“, tregon bashkëbiseduesi jonë.

Por, me kalimin e kohës ka edhe pako të reja, pakoja e katërt VIP kushton 1.000 dollarë, e pastaj ka edhe pako që kushton 6.000 dollarë.

“Sa më shumë klikon dhe sa më shumë njerëz të rinj sjell, aq më shumë rritet edhe fitimi. Në grupin në Telegram mund të regjistrohesh vetëm me një profil, por njerëzit filluan të bëjnë profile të rrejshme, me të dhëna të personave të tjerë (nëse ndonjë nuk dëshironte të marrë pjesë në platformë), kështu që disa kishin edhe nga 4-6 profile të rrejshme. Ajo që ishte si ngushëllim ishte se në vendin tonë nuk ka ligj për kriptovalutat dhe kjo gjë tek ne nuk është e rregulluar, kështu që nuk duhej as të paguanim tatim për paratë“, tregon një bashkëbisedues tjetër.

Meta.mk bisedoi me pesë përdorues të kësaj platforme. Disa prej tyre nuk donin të thoshin apo të dinin asgjë më shumë përveç se a do t’u ktheheshin paratë që i kishin investuar. Por disa prej tyre e dinin në detaje mënyrën e funksionimit të kësaj skeme piramidale.

“Kishte njerëz që fitonin edhe nga 200 dollarë në ditë. Por këta janë ata që u inkuadruan në fillim. Që të bëhesh menaxher, S1, ti duhet të kesh tre persona nën vete që kanë blerë paketën më të lartë prej 750 dollarësh. Pastaj, ka edhe nivele më të larta, kështu që për të arritur deri në S5, për shembull, ti duhet të kesh nën vete pesëmbëdhjetë persona nga S2, S3 nën ju. Duket e ndërlikuar, por kur e sheh aplikacionin është shumë e thjeshtë. Më parë unë nuk kam pasur përvojë me kriptovalutat, por tani kjo më është bërë përditshmëri”, thotë një tjetër bashkëbisedues.

Paratë e njerëzve derdhen në platformën online Binance, e më pas kur të duan mund t’i tërheqin në një këmbimore dhe në çdo valutë, por pasi të kenë kaluar 25 ditë.

Ndonjëherë ka edhe oferta, kështu që brenda një dite mund t’i investojnë paratë dhe t’i tërheqin menjëherë, ndërsa pastaj në 50 ditët e mbetura tu derdhet në llogari vetëm fitimi. Pikërisht atëherë rritet më së shumti numri i përdoruesve – ata investojnë masovikisht, ndërsa pastaj i presin “paratë e lehta” në llogarinë Binance. Paratë mund të tërhiqen pas 72 orësh.

E kujt është „Коnti“?

“Konti” nuk ka informacion për pronësinë, ndërsa punon nga dy domene të njohura të internetit: alconti.com– i regjistruar për herë të parë në janar të vitit 2020 në Britaninë e Madhe ku regjistrimi privat për herë të fundit është azhurnuar në 24 shtator të vitit 2023 dhe conti.vip – i regjistruar në korrik 2023, që për herë të fundit është azhurnuar në 24 shtator të vitit 2024.

Sipas ueb-faqes BehindMLM, e cila heton pronësinë e kompanive, “Konti” ka lidhje të ngushta me Kinën dhe bëhet fjalë për “riciklim të fondeve të sapoinvestuara për t’i paguar investitorët e mëparshëm”.

“Supozohet që me klikimin e butonit gjenerohen të ardhura që janë të lidhura me disa të dhëna për Inteligjencën artificiale. Këto të dhëna supozohet se u shiten partnerëve fiktiv të “Konti”-t, ndërsa përqindja që shkon tek investitorë të bashkuar (të cilët nuk bëjnë asgjë më shumë se sa që klikojnë një buton në aplikacion). Por kjo nuk ka kurrfarë kuptimi. Klikimi i një butoni në aplikacion nuk ka të bëjë aspak me investimet në film ose të dhënat për Inteligjencën artificiale. Në realitet klikimi i një butoni në aplikacionin e “Konti” nuk bën asgjë. E gjitha që bën “Konti” është riciklim i mjeteve të sapoinvestuara për t’i paguar investitorët e mëparshëm. “Konti” është pjesë e grupit të aplikacionit të mashtrimit ponzi “Kliko një buton”, i cili u shfaq në fund të vitit 2021,” thuhet në këtë ueb-faqe.

Sipas informacioneve tona “Konti”-n në tregun në Maqedoni e ka sjellë një vajzë nga Negotina, por më pas primatin e marrin dy të rinj nga Kavadari.

“Në grupin Telegram ata postonin foto të tyre ku thoshin se po ndjekin trajnime në Britaninë e Madhe, se marrin pjesë në konferenca në Slloveni. Në Kavadar me ceremoni u hap Qendra informative e “Konti”-t, e njëjta gjë më vonë u bë në Radovish, si dhe u paralajmërua një qendër informative edhe për në Shkup. Kështu që, e dinim që gjithçka ishte e ligjshme, por edhe ishim të vetëdijshëm se kjo nuk do të zgjaste shumë”, dëshmon një nga përdoruesit e “Konti”-t në vendin tonë.

Të gjithë përdoruesit me të cilët biseduam ishin të njëzëshëm se askush nuk i detyroi të investonin para dhe se përkundrazi, u është thënë se ka mundësi që platforma të zgjasë deri në fund të vitit, ndërsa pastaj të shuhet.

Dy nga personat e lidhur me “Konti” (si menaxherë, me fitimet më të larta) nuk iu përgjigjën thirrjeve dhe mesazheve tona. Personi i tretë u përgjigj, një i ri nga Kavadari, në një bisedë telefonike shkurt na tha se ishte i zënë, por se fundi i gjithë kësaj ishte i pritshëm.

“Unë jam i pari që hyri në “Konti”, por edhe që dola. I paralajmërova të tjerët që t’i nxjerrin paratë dhe të dalin. Askush nuk mund ta dijë se sa do të zgjasë kjo, prandaj do të ketë një projekt të ri. Dihej që një ditë e gjithë kjo do të shembej. Dikush fiton dikush humbet”, na u përgjigj shkurt i riu nga Kavadari.

Ndërkohë, personat që kanë investuar dhe kanë humbur në këtë mënyrë ditët e fundit po kërkojnë kthimin e parave të tyre, por ende nuk ka përgjigje konkrete për këtë problem sepse tani sekreti publik u bë realitet publik, kështu që priten përgjigje zyrtare nga institucionet, për atë se çfarë dhe nëse mund të bëhet diçka për t’i zhdukur skemat e tilla piramidale.

Kripto skemat piramidale në RMV tashmë prej vitesh po korrin sukses

Natyrisht që policia ka njohuri për mashtrime të tilla. Që në korrik të vitit 2022 nga Departamenti i Krimit Kompjuterik në Ministrinë e Punëve të Brendshme u bënë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e premtimeve për të ardhura joreale në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

“Në këtë mënyrë, gjithnjë e më shumë qytetarë po hyjnë në tregun e kriptovalutave, por nuk kanë njohuri apo informacion të mjaftueshëm se si ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt”, theksuan që atëkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke shtuar se kohëve të fundit është shtuar numri i mashtrimeve që i lënë qytetarët pa mijëra euro dhe kriptovaluta.

Në fillim të vitit 2022 Portalb.mk shkroi për skemën piramidale “Big Commerce”, kur mijëra qytetarë u mashtruan, ndërsa të tjerë fituan shuma të mëdha. “Big Commerce” operoi në një mënyrë shumë të ngjashme si “Konti”, duke përdorur aplikacionin kontrovers “Binance”.