Financimi i filmave në RMV është sfidë në vete, Avdi Thaçi: Fonde të kufizuara, konkurrencë e madhe

Producenti nga Maqedonia e Veriut, Avdi Thaçi, ka arritur majat e suksesit me punën e tij. Thaçi së fundmi ishte pjesëmarrës i programit Cannes Docs: Spotlighted Projects me dokumentarin e gjatë “Big in Gazi Baba”. Ai gjithashtu është edhe montazher i filmit “Krejt e thirrin Rexhon” dhe i dokumentarit “Antigona” e cila pritet të shfaqet në premierën botërore në Sheffield. Në një bisedë për Portalb.mk tha se si producent, ajo që ja lehtëson këtë rrugëtim është dashuria e tij për filmin që e shtyn të jetë i përkushtuar në çdo hap të procesit.

“Suksesi në film është gjithmonë rezultat i një pune të përbashkët me regjisorin, ekipin e filmit si dhe i përkushtimit të vazhdueshëm dhe marrjes së vendimeve të duhura. Si producent, ajo që ma lehtëson këtë rrugëtim është dashuria ime për filmin që më shtyn të jem i përkushtuar në çdo hap të procesit. Roli i producentit është i ndërlikuar, sepse përveçse duhet të kuptosh artin dhe tregimin, duhet të jesh menaxher i projektit, të sigurosh financim, të ndërtosh buxhetin, të koordinosh ekipin, të kujdesesh për marrëdhëniet me partnerët, të menaxhosh distribuimin e filmit, promovimin dhe strategjinë për festivale. Është e vështirë t’i dalësh ballë të gjithave, por mendoj se e vetmja mënyrë për të mos u dorëzuar është ta duash thellësisht filmin”, tha Thaçi.

Ai shtoi se roli i producentit është të mbajë strukturën e filmit së bashku nga ideja fillestare, sigurimi i financimit, mbikëqyrja e xhirimeve e deri te shpërndarja dhe prezantimi në festivale.

“Është një rol që kërkon si kreativitet, ashtu edhe aftësi menaxheriale, por mbi të gjitha kërkon vizion dhe përkushtim constant”, tha Thaçi.

Ai potencoi se projekti i tij më sfidues ka qenë projekti “Big in Gazi Baba”.

“Një dokumentar që po zhvillohet tashmë prej më shumë se dy vitesh, dhe kemi ende edhe dy vite të tjera përpara. Është sfidues sepse kërkon një angazhim afatgjatë-kemi mbi 100 ditë xhirime dhe jemi duke ndjekur nga afër jetën e protagonistes në mënyrë shumë të detajuar. Regjisore e filmit është Pauline Blanchet, regjisore franceze, dhe projekti është një bashkëprodhim ndërkombëtar me partnerë nga Franca dhe SHBA-ja, gjë që e bën procesin edhe më kompleks, por njëkohësisht më të pasur në përvojë, qasje krijuese dhe standarde ndërkombëtare të punës”, tha Thaçi.

Producenti pohoi se është sfidë e madhe të sigurosh financim për një film në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e rajonit.

“Është sfidë e madhe. Fondet janë të kufizuara dhe konkurrenca është e madhe. Shpesh, duhet të kërkosh bashkëprodhues ndërkombëtarë, dhe kjo kërkon përgatitje të thellë, kontakte të forta dhe një prezantim bindës të projektit. Megjithatë, gjithmonë ekzistojnë mundësi nëse tregimi është i fortë dhe original”, tha Thaçi.

Temat të cilat preferon më shumë ti trajtojë janë filmat që në thelb kanë tregime njerëzore që prekin çështje shoqërore.

“Ajo që më tërheq janë karakteret e forta dhe historitë me kuptim, që lidhen emocionalisht me publikun dhe shtrojnë pyetje të rëndësishme për vendin ku jetojmë”, tha Thaçi.

Thaçi së fundmi ishte pjesëmarrës i programit Cannes Docs: Spotlighted Projects me dokumentarin e gjatë “Big in Gazi Baba”, se cilat janë vlerësimet e këtij filmi në këtë festival ai tha se filmi ka marrë vlerësime pozitive.

“Pjesëmarrja në Cannes Docs si një nga projektet e përzgjedhura është një vlerësim i madh, veçanërisht sepse përzgjedhja vjen nga vendimmarrës të rëndësishëm të dokumentarëve brenda vetë Festivalit të Kanës. Filmi ka marrë shumë vëmendje nga profesionistë të industrisë ndërkombëtare-kemi pasur vlerësime shumë pozitive për projektin dhe një interes të madh për bashkëpunim. Duke qenë se jemi ende në fazë prodhimi, presim që vendimet më konkrete dhe bashkëpunimet e ardhshme të formësohen në vazhdim”, tha Thaçi.

Fotografi nga arkivi personal i Avdi Thachit. Foto: Avdi Thachi (Instagram)
Fotografi nga arkivi personal i Avdi Thaçit

Filmi “Krejt e thirrin Rexhon” pati një jehonë të madhe gjithandej nga është shfaqur, ka ngjallur emocione te publiku. Ai e vlerësoi lartë këtë sukses.

“Jam shumë krenar për këtë projekt, ku kam pasur rolin e montazherit. Veçanërisht më gëzon fakti sepse e di sa me përkushtim është punuar nga regjisori Iber Deari, dhe se puna jonë e përbashkët ka ndihmuar që publiku të lidhet emocionalisht me historinë. Ky sukses është dëshmi e fuqisë që kanë tregimet autentike dhe të ndjeshme për të prekur zemrat e njerëzve”, tha Thaçi.

Fotografi nga arkivi personal i Avdi Thachit. Foto: Avdi Thachi (Instagram)
Fotografi nga arkivi personal i Avdi Thaçit

Se çfarë rruge e pret rrugëtimin e dokumentarit “Antigona”, ai tha se kjo është një arritje e veçantë.

“Premiera botërore e dokumentarit Antigona do të mbahet më 18 qershor në Sheffield DocFest, një nga festivalet më të rëndësishme të dokumentarit në botë. Kjo përzgjedhje është një arritje e veçantë për ne, pasi Antigona është filmi i parë i shkurtër nga Maqedonia e Veriut që hyn në konkurrencë zyrtare në këtë festival. Antigona është një film i qetë, por shumë i fuqishëm, që ka potencial të prekë audienca të ndryshme. Besoj se ky film do të ketë një jetë të gjatë në festivale dhe do të mbetet gjatë në mendjen dhe zemrën e shikuesve”, tha Thaçi.

Ai më tej foli edhe për planet e tij në të ardhmen.

“Aktualisht kemi disa projekte në zhvillim, ndër to edhe filmin e shkurtër Përtej Kornizës, i cili është i mbështetur nga Agjencia e Filmit të Maqedonisë dhe ndodhet në fazën e para-produksionit. Hapat e mi të ardhshëm janë të vazhdoj me intensitet prodhimin e filmave, duke u përkushtuar te tregimet nga rajoni ynë-histori autentike që meritojnë të shihen dhe të dëgjohen në skenën ndërkombëtare”, tha Thaçi.