Filmi ‘Shame and Money’ me premierë botërore në Sundance, pjesë e filmit janë Teuta Ajdini dhe Refet Abazi nga Maqedonia e Veriut
Filmi artistik “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, do ta ketë premierën botërore në Festivalin prestigjioz të Filmit Sundance, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë botërore. Ky film shënon pjesëmarrjen e dytë të regjisorit nga Kosova në kategorinë kryesore të këtij festivali, një sukses i rrallë që konfirmon edhe një herë fuqinë krijuese të kinemasë kosovare në skenën ndërkombëtare, shkruan Portalb.mk.
Në film paraqitet një kastë e gjerë aktorësh nga Kosova dhe rajoni. Vlen të theksohet se pjesë e këtij projekti janë edhe dy artistë nga Maqedonia e Veriut, Teuta Ajdini Jegeni dhe Refet Abazi, duke i dhënë filmit një dimension të rëndësishëm bashkëpunimi rajonal dhe duke forcuar lidhjet kulturore ndërmjet skenave artistike të rajonit.
“Shame and Money” trajton historinë e një familjeje kosovare e cila, pas humbjes së jetesës në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë në kërkim të mbijetesës, dinjitetit dhe një vendi në shoqëri. Përmes kësaj drame sociale, filmi sjell në vëmendje tema universale si turpi, paratë, përplasja me realitetin urban dhe sfidat e tranzicionit shoqëror.
Në role kryesore të filmit luajnë: Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Ajdini Jegeni, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Refet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.
Filmi është mbështetur nga: Commissioner for Culture and the Media, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages-Council of Europe, German Federal Film Fund, Film- und Medienstiftung NRW, Slovenian Film Centre, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, North Macedonia Film Agency, Tax Shelter of the Federal Government of Belgium, Tax Shelter Investors, WDR, Fondation Suisa
Biletat e filmit do të fillojnë të shiten nga data 14 Janar.