Filmi “Era” sonte sjell kujtesën dhe historinë në zemër të Shkupit, Kelmendi: Mezi e presim këtë premierë

Filmi artistik “Era” i regjisores së njohur Parta Kelmendi do të shfaqet për herë të parë para publikut të Maqedonisë së Veriut sonte më 4 dhjetor 2025, në Qendrën Kulturore të Rinisë Kino Frosina në Shkup, me fillim nga ora 20:00. Ky projekt kinematografik, i cili tashmë ka tërhequr vëmendjen e festivaleve ndërkombëtare, vjen në Shkup pas një serie vlerësimesh pozitive dhe interesim nga publiku rajonal, shkruan Portalb.mk.

Premiera kryesore e “Era”-s u mbajt më 15 tetor në Prishtinë, ku u prit me entuziazëm nga publiku dhe me kritika pozitive.

Në një intervistë dhënë për Portalb.mk, regjisorja Kelmendi theksoi se filmi rikthen në qendër historinë e rezistencës së viteve ’90-ta, duke e rrëfyer atë përmes një perspektive intime, njerëzore dhe të ndjeshme. Sipas saj, “Era” është një udhëtim emocional që fton secilin të reflektojë mbi kujtesën kolektive dhe fuqinë që kanë rrëfimet e së kaluarës në formësimin e identitetit të sotëm.

“Përmes Erës kam dashur t’i jap zë një gjenerate që ka jetuar në një kohë të pa kohë, një popull me një fuqi të madhe rezistencë, gra që qëndruan në vend dhe u kujdesën për familjen, rrethin e shoqërinë. Një vlerësim për forcën, dashurinë dhe rezistencën e asaj kohe. Filmi mund të kontribuojë si një pasqyrë e shoqërisë, mund të nxisë reflektim dhe të thyej paragjykime. Kështu edhe të bëhet katalizator për ndryshime sociale, por pa kontributin e tërë shoqërisë ndryshimet janë gjithmonë të ngadalshme. Për me u ndryshu realiteti social duhet të kontribuoj e gjithë shoqëria”, tha Kelmendi.

Fotografi nga xhirimet e filmit. Foto: Parta Kelmendi
Fotografi nga xhirimet e filmit. Foto: Parta Kelmendi

Me përmbajtjen e tij të fuqishme emocionale dhe tematikën universale, “Era” pritet të ngjallë debat, reflektim dhe admirim tek publiku, duke u shndërruar në një prej ngjarjeve kinematografike më të rëndësishme të fundvitit në rajon.

Pas Prishtinës dhe Shkupit, filmi do të prezantohet edhe në Prizren, Tiranë dhe më pas në disa qytete europiane, duke e zgjeruar kështu rrugëtimin e tij drejt një audience më të gjerë ndërkombëtare.