Filluan netët live të Këngës Magjike 25, u mbajt nata e parë
Mbrëmë, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ka nisur edicioni i 25-të i Festivalit “Kënga Magjike”. Ky jubile shënon një çerek shekulli histori, duke dëshmuar qëndrueshmërinë, traditën dhe madhështinë e këtij eventi, i cili prej vitesh është shndërruar në skenën më prestigjioze të muzikës shqiptare dhe jo vetëm, shkruan Portalb.mk.
Gara në natën e parë gjysmëfinale të festivalit “Kënga Magjike” nisi me Rea Nuhun. Skenën e natës së parë e ndezi edhe këngëtarja e dashur nga Kosova, Albina Kelmendi, e cila emocionoi publikun me interpretimin e këngës “Gënjeja”.

Këtë vit, skena e Këngës Magjike ka sjellë rikthimin e shumë emrave të dashur për publikun, përfshirë edhe artistë që prej kohësh kanë munguar. Ndërkohë, artistë që dikur ngjiteshin si pjesë e kategorisë “New”, këtë herë konkurrojnë në kategorinë “Big”, duke treguar rritjen e tyre artistike dhe lidhjen e vazhdueshme me këtë festival.
28 këngëtarë në kategorinë “Big Artist” dhe 19 në kategorinë “New Artist” do të ndezin skenën e Këngës Magjike me performanca brilante përpara një jurie profesionale ndërkombëtare.
Tre netët e festivalit zhvillohen në gjysmëfinalet e 19 dhe 20 nëntorit dhe në finalen e madhe të shtunën, 22 nëntor, ku kryefjalë do të jetë muzika e mirë dhe vokalet e jashtëzakonshme që i këndojnë dashurisë, ndjenjës, dhimbjes dhe asaj që na ofron jeta çdo ditë.
Juria e edicionit të 25-të të “Këngës Magjike” përbëhet nga profesionistët më të mirë. Jonida Maliqi dhe Enkel Demi janë nga Shqipëria që u bashkohen Kaliopi, artistja maqedonase, Gianni Testa nga Itali dhe Deban Aderemi nga Londra.