Filloi rrënimi i objektit të vjetër të shkollës tekstile në Tetovë, do të ndërtohen dy shkolla të reja

Sot edhe zyrtarisht filloi prishja e objektit të vjetër të shkollës së mesme tekstile ‘Gjoce Stojçeski’ në Tetovë, gjë që hap rrugë për një ndërtese të re të premtuar prej disa kohësh. Ndërtimi i saj, siç është bërë e ditur në janar të këtij viti do të kushtojë pesë milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“Sot edhe zyrtarisht filluam me prishjen e objektit të vjetër të shkollës së mesme tekstile. Një vend ku me vite kanë kaluar nxënës të shkëlqyer dhe gjenerata të arta. Prishja e objektit të vjetër i jep rrugë një ndërtese të re, moderne dhe madhështore, që do të ndërtohet prej themeli. Me standarde bashkëkohore, me hapësira funksionale dhe teknologji të avancuar. Do të ndërtohen dy shkolla të reja, moderne, funksionale dhe me kushte dinjitoze, që do t’i përgjigjet nevojave të kohës dhe brezave që vijnë. Gjimnazi “7 Marsi” dhe shkolla e mesme tekstile “Gjoce Stojçevski”, do të jenë me objekte të reja”, thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.

Shumica e mjeteve për këtë projekt janë siguruar nga Qeveria e RMV-së. 

Nga Komuna e Tetovës në janar sqaruan se ky projekt është projekti më i madh i kësaj thirrje në vlerë totale prej 5 milionë euro apo 308 milionë denarë e cila gjithashtu do të realizohet në dy faza ku për fazën e parë janë siguruar 148,540,166 den nga mjetet e Qeverisë për investime kapitale për komunat ndërsa 2,263,617denarë nga buxheti i Komunës së Tetovës.