Filloi ndryshimi i targave, Tomovski: Deri në fillim të fushatës së zgjedhjeve lokale, të gjitha automjetet zyrtare në RMV duhet t’i kenë targat e reja
“Deri në fillim të fushatës së zgjedhjeve lokale, të gjitha automjetet zyrtare duhet t’i kenë targat e të reja”. Këtë e deklaroi sot drejtori i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPP), Ivica Tomovski, në lidhje me vendimin e qeverisë për të zëvendësuar targat e automjeteve shtetërore me targa speciale të kuqe dhe të verdha që po futen për njohje më të lehtë të automjeteve, transmeton Portalb.mk.
Afati i fundit për ndryshimin e targave është 15 shtatori, por Tomovski thotë se nëse institucionet nuk përgjigjen deri atëherë, do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë deri më 29 shtator, pra deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale.
“Nëse dikush përpiqet të shmangë dhe nuk dëshiron t’i markojë automjetet e tij, kur të vijë data e regjistrimit, sigurisht që do t’i marrë këto targa”, tha drejtori i SHPP-së në konferencën e sotme për shtyp.
Duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske nëse institucionet do të përballen me sanksione nëse nuk i ndryshojnë targat në periudhën deri në regjistrimin e automjeteve, Tomovski tha se rregullorja nuk parashikon penalitete.
“Por ja, jeni ju mediat, këtu jemi ne institucionet për t’ju dhënë informacion se çfarë automjetesh ka shteti, është KSHPK, e cila tashmë ka një lloj regjistri ku ne si institucione ishim të detyruar të raportonim. Ja, le të lëmë pak kohë deri të hënën, mendoj se të gjitha institucionet do të përgjigjen”, shtoi kreu i ShPP-së.
Tomovski theksoi se masa mbulon të gjitha automjetet në pronësi të shtetit – automjetet qeveritare, automjetet komunale, automjetet e ndërmarrjeve publike. Me ndryshimet në rregullore, të cilat priten gjatë këtij viti, ato për qëllime specifike, siç janë disa nga automjetet e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe disa nga automjetet e Ministrisë së Brendshme, do të përjashtohen nga detyrimi për të ndryshuar targat.
Numri i automjeteve zyrtare, siç tha Tomovski, është diku midis 7,000 dhe 7,500.
“Nuk kemi një numër të saktë sepse nuk kemi as një regjistër të përshtatshëm në vend. Ministria e Brendshme ka marrë përsipër detyrimin që, deri më 31 dhjetor, të krijojë atë regjistër dhe më në fund të ketë një pasqyrë të qartë se çfarë automjetesh ka shteti në dispozicion”, shtoi ai.
Vendimi për të ndryshuar targat e të gjitha automjeteve zyrtare në pronësi të shtetit u mor në një seancë qeveritare më 29 korrik.