Filloi me punë Redaksia e Posaçme e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Enciklopedisë Shqiptare

Në Shkup sot ka qëndruar për vizitë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademiku Skender Gjinushi. Me këtë rast, meqë Maqedonia e Veriut në këtë projekt mbulohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, ai realizoi takim edhe me Redaksinë e Posaçme të Enciklopedisë Shqiptare të Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.

Gjatë këtij takimi, redaktori përgjegjës i Redaksisë së Posaçme të Enciklopedisë Shqiptare, prof. dr. Aziz Pollozhani, e ka informuar kryetarin e ASHSH-së për punën e deritanishme në konsolidimin dhe ekipimin e Redaksisë së Posaçme, si dhe për zbatimin e detyrave që tashmë janë paravendosur.

Akademiku Skender Gjinushi, nga ana e tij, duke shprehur inkurajim për punën e redaksisë së Maqedonisë së Veriut, ka folur në përgjithësi për projektin e Enciklopedisë Shqiptare, kjo si një mundësi e rrallë e përfshirjes së gjithë kapacitetit shkencor të kombit në hartimin e një enciklopedie deri tash të munguar.

Ai i ka përgëzuar anëtarët e redaksisë së ESH-së të Maqedonisë së Veriut, i ka falënderuar për angazhimin dhe uruar që ky bashkëpunim të jetë i frytshëm.