Filipçe: Ndryshimet kushtetuese janë hapi i parë drejt BE-së, gjithçka tjetër është manipulim i qytetarëve
Sipas Filipçes, ndryshimet kushtetuese nuk kërcënojnë asnjë përcaktues identiteti. Ai i kërkoi qeverisë të shpjegojë publikisht se nga çfarë saktësisht ka frikë dhe pse nuk dëshiron që vendi të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian, shkruan 360 gradë, transmeton Portalb.mk.
Kryetar i partisë opozitare LSDM, Venko Filipçe, mbajti sot fjalimin në një panel diskutimi në kuadër të konferencës “Shtatë dekada më vonë: Nga vizioni i Schumanit te sfidat e reja gjeopolitike të Evropës”, ku foli për rrugën evropiane të vendit, Kornizën Negociuese dhe proceset reformuese, duke theksuar se ka hapa të qartë të përcaktuar nga Bashkimi Evropian dhe se nuk duhet humbur kohë në zbatimin e tyre.
Ai foli edhe për situatën në sistemin gjyqësor, duke vlerësuar se pa drejtësi evropiane, besimi i qytetarëve në institucione nuk mund të rikthehet.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se Korniza Negociuese tashmë është miratuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe se procesi është përcaktuar qartë. Hapi i parë, siç tha ai, është të bëhen ndryshimet kushtetuese, të ndjekura nga mbajtja e konferencës së ardhshme ndërqeveritare.
“Ne nuk jemi ndonjë vend në Afrikë që dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian e të na thonë: prisni, kjo është e pamundur. Ne kemi një propozim specifik nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, quhet Korniza Negociuese. Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë votuar për të, hapi i parë që duhet të ndërmerret është të bëhen ndryshime kushtetuese. Dhe që të zhvillohet konferenca e ardhshme ndërqeveritare. Kjo është në tryezë. Pse ka ky skepticizëm? Pse ka frikë? Ne kemi shkruar një projekt-rezolutë për t’u bashkuar rreth interesave kombëtare, pas votimit për ndryshimet kushtetuese nuk do të ketë negociata për asnjë përcaktues identiteti. Nga çfarë kemi frikë, nëse të gjithë jemi ulur së bashku në tryezë për këto gjëra? Ne e dimë se cili është hapi i parë”, u shpreh Filipçe.
Sipas tij, ndryshimet kushtetuese nuk kërcënojnë asnjë përcaktues identiteti. Ai i kërkoi qeverisë të shpjegojë publikisht se nga çfarë saktësisht ka frikë dhe pse nuk ka dëshirë të ecë përpara në Evropë.
“Nuk ka asnjë përcaktues identiteti që kërcënohet nga hapi tjetër që duhet të ndërmerret, të cilat janë ndryshimet kushtetuese. Le të thonë se si përfshirja e pakicës në Kushtetutë kërcënon identitetin tonë ose çdo gjë tjetër që do të përbënte rrezik. Qeveria duhet të thotë saktësisht se nga çfarë kemi frikë. Mendimi im është se nuk ka dëshirë për të ecur përpara në Evropë në mënyrë që të vazhdojmë me korrupsionin dhe asgjë tjetër. Por fjalë për fjalë asgjë tjetër”, theksoi Filipçe.
Ai kujtoi ofertën e LSDM-së për t’u bashkuar rreth interesave kombëtare, duke shtuar se nuk mori mbështetje nga asnjë parti politike.
“Pse ka skepticizëm? Pse ka frikë? Ne shkruam një projekt-rezolutë për t’u bashkuar rreth interesave kombëtare, pas votimit për ndryshimet kushtetuese nuk ka negociata për asnjë përcaktues identiteti. Asnjë parti e vetme nuk u përgjigj. Nga çfarë kemi frikë, nëse të gjithë ulemi së bashku në tryezë për këto çështje? Ne e dimë se cili është hapi i parë”, tha Filipçe.
Ai paralajmëroi se shtyrja e vendimeve mund të ketë pasoja për të ardhmen e vendit, duke përfshirë rritjen e emigrimit të të rinjve.
“A do të humbasim më shumë kohë? Pse t’ua lëmë brezave të ardhshëm? Ndërkohë, ata thjesht do të largohen nga vendi dhe asgjë tjetër. Nëse duam vërtet të integrohemi në Evropë dhe të shtypim korrupsionin që është i pranishëm në çdo nivel, nuk mund ta bëjmë vetëm. Rruga është e qartë”, tha kreu i LSDM-së.
Në fjalimin e tij, Filipçe trajtoi edhe situatën në sistemin gjyqësor, duke vlerësuar se pa drejtësi evropiane, besimi i qytetarëve në institucione nuk mund të rikthehet.
Sipas tij, ekziston një partizanizëm brutal jo vetëm në gjyqësor, por edhe në të gjitha nivelet në shtet.
“A mund të rikthehet besimi në gjyqësor? Nuk mund të jetë pa gjyqësor evropian. Njerëzit nuk i besojnë më. Problemi është më i thellë dhe ka të bëjë me të gjithë sistemin, dhe arsyeja është partizanizmi brutal që vazhdon në çdo nivel”, nënvizoi Filipçe.
Kjo situatë, siç theksoi ai, kontribuon në humbjen e besimit në institucione dhe rritjen e emigracionit.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Rruga evropiane e RMV-së përsëri në ngërç politik: Mucunski bën thirrje për reforma, Filipçe për ndryshime kushtetuese
- LEXO: “Maqedonas të veriut”, termi që përdori diplomatja bullgare shkaktoi tensione në Shkup, VMRO dhe LSM me akuza
- LEXO: Maqedonia e Veriut dërgoi demarsh me gojë deri te ambasadori bullgar