FECH: Trend shqetësues i jotransparencës sistematike në universitetet publike, UT-ja renditet e fundit

Në hulumtimin e Forumit për Ndryshimin në Arsim (FNA) vlerësohet se universitetet publike në Maqedoninë e Veriut janë të përfshirë në transparencë sistemore, transmeton Portalb.mk.

“Rezultatet e këtij hulumtimi flasin për një trend shqetësues të jotransparencës sistemike, gjë që e bën të domosdoshme forcimin e standardeve dhe zbatimin e masave korrigjuese. Indeksi nuk paraqet vetëm një instrument matës, por edhe një thirrje për reformë, për avancimin e integritetit institucional dhe për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme të transparencës dhe cilësisë në arsimin e lartë”, raportoi FNA-ja.

Indeksi i Transparencës së FNA-së është rezultat i një hulumtimi në periudhën janar-gusht të këtij viti.

Në raport asnjë universitet nuk vlerësohet plotësisht transparent, ndërsa katër universitete llogariten mesatarisht transparente: Universiteti i Europës Juglindore, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Universiteti “Goce Dellçev” dhe Universiteti “Shën Apostull Pali”. Në kategorinë e universiteteve pjesërisht transparente janë: Universiteti “Shën Klimenti i Orhit: dhe Universiteti “Nënë Tereza”, ndërsa universiteti i vetëm i vlerësuar si universiteti jotransparent është Universiteti i Tetovës.

“Universiteti me më pak pikë sa i përket indeksit të transparencës është Universiteti i Tetovës. Përgjithësisht, ky universitet ka publikuar minimum informacione, që do të ishin të nevojshme për funksionimin e tij normal. Është fjala për publikimin e konkurseve vjetore për regjistrimin e studentëve të rinj. Sa u takon kategorive të tjera, veçanërisht në fushën e punës financiare, universiteti nuk ka publikuar asnjë informacion, megjithëse në faqen e internetit ka seksione të veçanta  ku ato duhet të publikohen”, sqaruan nga FNA-ja.

Ndryshe, Forumi për Ndryshim në Arsim më 17 tetor raportoi se Universitet i Tetovës ka shpenzuar 38.038 euro për ushqime nëpër restorante nga janari në shtator, edhe pse të njëjtit i mungojnë laboratorë dhe bibliotekë e denjë ku studentët mund të mësojnë.

Kujtojmë se në gusht, Forumi për Ndryshim Arsimor informoi për projektet-hulumtuese që Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte zgjedhur të i financojë. Prej gjithsej 40 projekteve, nga FNA thanë se 29 i janë ndarë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” ndërsa prej 3 universiteteve shqiptare, vetëm 1 projekt i është ndarë Universitetit të Tetovës.