Taravari nuk reklamoi asnjë produkt dobësimi

Preparati i ofruar në shpalljen e shpërndarë në këtë postim nuk është në regjistrin MALMED. Gjithashtu, neurokirurgu doktor Arben Taravari ka reaguar përmes një postimi në Facebook se nuk ka lidhje me këtë preparat dhe është distancuar prej tij. Nuk është hera e parë që në rrjetet sociale keqpërdoren reklama të rreme për preparate të caktuara nga mjekë fiktiv apo emra mjekësh të etabluar. I tillë ishte rasti me doktorin Nikolla Panovski, i cili u keqpërdor për një reklamë të një lloj çaji antiparazit, për të cilin Vërtetmatësi tashmë ka shkruar.

Po shqyrtojmë një postim në Facebook që reklamon disa produkte dobësimi dhe keqpërdor emrin e neurokirurgut Dr. Arben Taravri, kryetar aktual i Gostivarit dhe ish-ministër i Shëndetësisë.

Trupi juaj do të bëhet më e hollë në 7 ditë! Një formulë e re me antioksidantë të fuqishëm për të kthyer yndyrën në energji për çdo ditë. Përshpejtimi i metabolizmit, zvoglim e oreksit, normalizimi i sfondit hormonal, pastrimi i trupit të indeve, shkruhet në postimin në të cilin vërehen gabime gjuhësore.

Brenda postimit shfaqet edhe një fotografi me produktin dobësues dhe fytyrën e doktor Taravari.

Por Taravari nuk ka lidhje me këtë reklamë siç ka reaguar vetë në Facebook.

KUJDES!
Si mjek, jam thellësisht i shqetësuar për përhapjen e reklamave të rreme në emrin tim për një produkt për humbje peshe që pretendon se ndihmon në humbjen e peshës.
I bëj thirrje njerëzve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur hasin në përmbajtje të tilla, të cilat në rrethana të caktuara mund të shkaktojnë edhe dëme të mëdha në shëndetin e tyre.
Prioriteti im ka qenë gjithmonë kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Të gjithë qytetarët duhet të kenë qasje në informacione të sakta dhe të besueshme kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
U bëj thirrje institucioneve që të marrin masa ndaj reklamave të tilla të rreme, të cilat jo vetëm që mund të mashtrojnë konsumatorët, por edhe të shkaktojnë rreziqe serioze për shëndetin”, ka shkruar Taravari në Facebook.

Preparati dobësues i reklamuar nuk gjendet as në regjistrin e barnave të miratuara nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore – MALMED.

Epo, duke pasur parasysh që preparati nuk është në regjistrin MALMED, si dhe fakti që Taravari distancohet prej tij, mund të konstatojmë se postimi që po analizojmë është i pavërtetë.

Nuk është hera e parë që në rrjetet sociale hasen reklama të rreme për preparate të caktuara nga mjekë fiktive apo emra mjekësh eminentë. I tillë ishte rasti me doktor Nikolla Panovskin, i cili u keqpërdor për një reklamë të një çaji kundër parazitëve, për të cilin Vërtetmatësi tashmë ka shkruar. Nga kontrolli ynë rezultoi se çaji nuk është në regjistrin e barnave dhe produkteve medicinale të MALMED, pra nuk është i regjistruar.