Eurovision 2026 publikoi renditjen zyrtare: Shqipëria e 13-ta në gjysmëfinalen e dytë me “Nân” të Alis

Organizatorët e Eurovision 2026 kanë publikuar renditjen zyrtare të paraqitjes për dy gjysmëfinalet e festivalit, i cili këtë vit do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan Portalb.mk.

Sipas njoftimit zyrtar, gjysmëfinalja e parë është caktuar për më 12 maj, e dyta për më 14 maj, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet më 16 maj 2026.

Shqipëria do të ngjitet në skenë në Gjysmëfinalen e dytë, ku do të performojë e 13-ta me radhë. Vendin do ta përfaqësojë këngëtarja Alis me këngën “Nân”.

Një nga risitë më të rëndësishme të këtij edicioni është rikthimi i jurive profesionale edhe në gjysmëfinale, përkrah votimit të publikut. Kjo praktikë rikthehet pas disa vitesh mungesë, pasi nuk ishte aplikuar në këtë fazë që nga viti 2022.

Në dy netët gjysmëfinale do të performojnë edhe shtetet e njohura si “Pesëshja e Madhe” Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar si dhe Austria si vend mikpritës. Këto vende sigurojnë automatikisht një vend në finale, por prania e tyre në skenë edhe gjatë gjysmëfinaleve pritet ta rrisë më tej interesimin e publikut.

Publikimi i renditjes së performancave konsiderohet një moment i rëndësishëm për dinamikën e garës, pasi pozicionimi në skenë shpesh ndikon në pritjet dhe reagimet e audiencës. Me afrimin e muajit maj, Eurovision 2026 po hyn zyrtarisht në fazën më emocionuese, duke premtuar edhe një tjetër spektakël të madh në skenën evropiane të muzikës.