EuroNatur: Shqipëria nuk ka respektuar procedurat
Ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura
Shqipëria ka ndryshuar legjislacionin për të lejuar investime strategjike turistike në zonat e mbrojtura. Nga këndvështrimi i ruajtjes së natyrës zhvillimi më i fundit dhe më shqetësues lidhet me ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke lejuar përdorimin e makinerive të rënda dhe ndërtimin e resorteve turistike luksoze brenda zonave të mbrojtura. “Këto ndryshime kanë dobësuar ndjeshëm funksionin mbrojtës të ligjit, duke e bërë atë praktikisht të paaftë për të përmbushur qëllimin për të cilin është hartuar”, thotë Spangenberg.
Një tjetër çështje problematike lidhet sipas Spangenberg me Ligjin për Investimet Strategjike, i cili u krijon mundësi investitorëve të shmangin ose të përshpejtojnë disa procedura administrative dhe mekanizma kontrolli, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen e mjedisit. “Ajo që duhet pasur parasysh është se ajo që po ndodh sot në Nartë mund të ndodhë nesër në çdo zonë tjetër të mbrojtur në Shqipëri. Prandaj, nuk bëhet fjalë vetëm për një problem lokal, por për një çështje më të gjerë që lidhet me dobësimin e kuadrit ligjor të krijuar për mbrojtjen e këtyre territoreve”, thotë Spangenberg.
A mund të bashkëjetojnë zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës?
Mbështetësit e projektit argumentojnë se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës mund të bashkëjetojnë. Po cilat kushte duhet të plotësohen që një ekuilibër i tillë të jetë i besueshëm në Pishë Poro–Nartë?
“Pishë Poro–Narta është një nga shumë zonat e mbrojtura në Shqipëri që janë shpallur mbi të gjitha për të mbrojtur natyrën dhe speciet që jetojnë në to. Çdo zhvillim që propozohet në këto territore duhet të respektojë këtë parim themelor. Projekti i planifikuar për këtë zonë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me detyrimet ligjore dhe me vetë qëllimin për të cilin ekzistojnë zonat e mbrojtura”, thotë Spangenberg.
Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm nënkupton marrjen në konsideratë të interesave të komuniteteve lokale që preken nga projekti, analizimin e qartë të përfitimeve dhe kostove, shqyrtimin e alternativave të mundshme, mbrojtjen e natyrës dhe integrimin e projektit në një vizion strategjik e afatgjatë për territorin.
Sipas Spangenberg “në rastin e këtij projekti, sipas vlerësimit tonë, asnjë nga këto elemente nuk është demonstruar në mënyrë bindëse.”
- LEXO: Dita e 17-të e protestës në Tiranë
- Burimi i tekstit:
![]()
