Dita e 17-të e protestës në Tiranë

Qytetarët janë mbledhur para godinës së Këshillit të Ministrave edhe këtë të martë, 16 qershor, raporton Klan. Kjo e sotmja shënon ditën e 17-të të protestës qytetare në kryeqytet, kryesisht kundër ndërtimeve në Zvërnec.

Mësohet se rreth orës 20:00 ata do të marshojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, me të njëjtin itinerar si më herët, ndërsa është sinjalizuar mundësia për një tjetër orar sa i takon nisjes së tubimit. Kjo, prej temperaturave të larta.

Kujtojmë se të dielën, qytetarët marshuan drejt aeroportit të Rinasit, ndryshe nga herët e shkuara. Lidhur me këtë, reagoi edhe kreu i qeverisë.

“Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqija drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës“, shkroi ai në rrjetet sociale.

Lidhur me bllokimin e rrugës, janë proceduar penalisht 19 persona, si dhe janë sekuestruar dy automjete.