Eurodeputeti kroat Resler: Në kontekstin aktual gjeopolitik RMV-ja duhet ta shfrytëzojë mundësinë që i është dhënë për në BE

Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapin e duhur, hapin konkret, por nga ana tjetër, që Bashkimi Evropian të kuptojë se çështja e zgjerimit ka edhe një dimension gjeopolitik. Kështu thotë eurodeputeti Karlo Resler cili është edhe kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk. Ai tha gjithashtu se përmes dimensionit parlamentar do të ndihmojnë RMV-në që të jetë sa më shpejtë gati për në BE. Megjithatë, siç thotë ai, çështja me Bullgarinë mbetet çështje dypalëshe, por që BE-ja mund të jetë ndërmjetësuese. Më poshtë ndiqni bisedën që disa gazetarë nga Maqedonia e Veriut realizuan me eurodeputetin në Parlamentin Evropian në Strazburg.

Përgatiti: Fisnik Xhelili

A ka mundësi që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në procesin e negociatave duke pasur parasysh atë që po ndodh me Bullgarinë?

Jemi në fillim të këtij cikli institucional këtu në Parlamentin Evropian me Komisionin Evropian, por edhe në Maqedoninë e Veriut. Unë besoj se në vitet në vijim, së bashku me një dimension të thelluar parlamentar, ne mund të kontribuojmë për Maqedoninë e Veriut, e cila ishte praktikisht në të njëjtin pozicion si Kroacia në 2005, praktikisht 20 vjet më parë, se së bashku mund ta bëjmë Maqedoninë e Veriut gati sa më shpejt të jetë e mundur për anëtarësim në BE në aspektin ekonomik, por edhe në stabilitetin politik, sundimin e ligjit dhe të gjitha kriteret e nevojshme që Kroacia ka përmbushur për të hyrë në BE.

Jemi të vetëdijshëm se ka pasur edhe disa çështje dypalëshe që ende po e prishin rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi me qëndrimet tona, diplomacinë parlamentare që të përpiqemi të thellojmë mirëkuptimin, se sot në këto rrethana aktuale gjeopolitike thjesht nuk ka vend për çdo shantazh të tillë dypalësh dhe se ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapin e duhur, hapin konkret, por nga ana tjetër, që Bashkimi Evropian të kuptojë se çështja e zgjerimit ka edhe një dimension gjeopolitik.

Cila është mënyra për ta zgjidhur kontestin me Bullgarinë?

Kjo është situatë që ekziston prej disa vitesh dhe e cila thjesht i prish marrëdhëniet jo vetëm mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por fatkeqësisht në një masë të madhe ka ndikuar edhe në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së. Ajo që është e rëndësishme të bëjmë dhe do të përpiqemi të bëjmë nga pozicioni i Delegacionit për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut është të relaksojmë situatën, të përpiqemi të bisedojmë me të gjithë kolegët, sepse në fund është e qartë se unë tani nuk mund të ofroj një zgjidhje për problemet dypalëshe që ekzistojnë dhe që padyshim rëndojnë marrëdhëniet dypalëshe, ne duhet të punojmë së bashku përmes një dialogu të hapur dhe konstruktiv për të arritur një zgjidhje, dhe në këtë kontekst, institucionet evropiane, veçanërisht Parlamenti Evropian, duhet dhe do të jenë të dobishëm.

A keni komunikim me eurodeputetët bullgarë, që të ndihmoni në këtë drejtim?

Është e qartë se komunikimi me të gjithë anëtarët e delegacionit ekziston, se për këtë do të flasim, së shpejti edhe me përfaqësuesin e Maqedonisë së Veriut në BE, këto janë disa nga detyrat tona që thjesht duhet t’i bëjmë këtu, por po ashtu është e qartë se dallimet që ekzistojnë, nuk kam iluzion se do të arrijmë t’i kapërcejmë me zgjidhje magjike.

Karlo Ruseler kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Karlo Resler kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

A ka optimizëm në BE për zgjidhje me Sofjen, apo do t’u lihet dy vendeve që ta zgjidhin atë mes vete, dhe nëse kjo ndodh, a do të ishte e pranueshme për BE-në?

Është e qartë para së gjithash se kjo është çështje dypalëshe që duhet të zgjidhet mes dy vendeve, mes shtetit anëtar Bullgarisë dhe shtetit kandidat Maqedoninsë të Veriut. BE-ja këtu dhe sipas disa përvojave që kemi pasur deri më tani, duke përfshirë qasjen e Kroacisë ndaj BE-së, mund të jetë ndihmëse, mund të jetë ndërmjetëse, mund të jetë lehtësuese e një bisede të tillë, por është gjithashtu e qartë se me një dimensioni parlamentar mund të përpiqemi të ketë relaksim të marrëdhënieve të tilla.

Cilat janë sfidat që ndikojnë në rrugën eurointegruese të RMV-së?

Sot, në këto rrethana në të cilat BE-ja funksionon pas tre vitesh agresioni të përgjakshëm rus kundër Ukrainës, pasi kuadri i sigurisë energjetike dhe ekonomike i arkitekturës së të gjithë Evropës është ndryshuar për shkak të luftës dhe rrethanave dramatike të ndryshme politike, është e qartë se pasojat e këtyre gjërave ndihen jo vetëm në shtetet anëtare, por edhe në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut dhe të gjitha vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor duhet të përdorin atë që u është dhënë, të gjitha mundësitë dhe potencialet që u hapen për shkak të asaj situate, dhe kjo është para së gjithash vetëdija se anëtarësimi në BE është nuk mund të jetë një detyrë e rreptë formale ligjore apo administrative, por është shumë më tepër se kaq dhe gjithsesi përmban një dimension shumë të rëndësishëm gjeopolitik. Mendoj se ky faktor dhe mënyra se si ai zhvillohet është në favor të Maqedonisë së Veriut, por është gjithashtu e qartë se brenda Maqedonisë së Veriut si dhe në shtetet e tjera anëtare nga Ballkani Perëndimor, duhet të zhvillohen shumë procese më të rëndësishme në aspektin politik, sundimit të ligjit, ekonomisë dhe të gjithë këta janë hapa të rëndësishëm që Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë/përmbushë në mënyrë që të jetë plotësisht e përgatitur për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nëse Gjermania e ndihmoi Kroacinë për të hyrë në BE, a mundet Kroacia të ndihmojë Maqedoninë e Veriut për të hyrë në BE, t’i japë një shtysë?

Pavarësisht se si ishte situata dhe kur Kroacia iu afrua BE-së, është e qartë se Kroacia është një vend miqësor ndaj Maqedonisë së Veriut, që ndoshta mund ta kuptojë më së miri zhgënjimin, por edhe vështirësitë që dalin nga praktikisht 20 vjet bllokada të ndryshme, keqkuptimet apo përplasjet politike dhe se mundet nëse dëshiron, siç po punon me kryeministrin Plenkoviç, të jetë një nga ato vende anëtare të BE-së që do të qëndrojë për atë që është e arsyeshme, por gjithashtu do të qëndrojë edhe për të kuptuar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut është me interes jo vetëm për Evropën Juglindore, jo vetëm në interes të Kroacisë, por realisht në interes të mbarë BE-së.