Strazburgu i prerë: RMV-ja duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese, asgjë më shumë dhe as më pak

Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Këtë e theksoi sot komisionerja e re e zgjerimit të BE-së Marta Kos. Zyrtarët me të cilët bisedoi Portalb.mk në Strazburg thonë se Kos është zgjidhje e shkëlqyer për këtë detyrë dhe kjo do të jetë në favor të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj eurointegruese. Ngjashëm si Kos, eurodeputetët nga BE-ja thonë se vendi duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese dhe të ecë përpara. Burimet brenda Parlamentit Evropian thonë se Franca dhe Gjermania po punojnë për të zgjidhur ngërçin në rrugën e RMV-së drejt BE-së.

Sytë nga Kos për zgjidhjen e ngërçit RMV – Bullgari

Kos menjëherë pas zgjedhjes së saj për komisionere në korridoret e Parlamentit Evropian u prit nga gazetarët e RMV-së ku u pyet për të ardhmen evropiane të vendit.

“Presim që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën, kjo është diçka në të cilën ne llogarisim, asgjë më pak dhe asgjë më shumë, jam e sigurt se mund të bëhet. Atëherë ne mund të përparojmë vërtet shumë shpejt, tha Kos.

Marta Kos. Foto nga Portalb.mk
Marta Kos. Foto nga Portalb.mk

E pyetur nëse RMV-ja a mund të merr garanci se nuk do të ketë bllokada të reja nga Bullgaria, Kos tha se nuk është ajo që mund ta garantojë këtë. Ajo thotë se zgjidhja për mosmarrëveshjet midis dy vendeve është dialogu.

Duhet garanci nga Bullgaria 

Eurodeputetët dhe zyrtarët me të cilët bisedoi Portalb.mk vlerësojnë se Kos e cila vjen nga Sllovenia është zgjidhja e shkëlqyer për komisionere të zgjerimit sepse njeh mirë rajonin dhe problematikat.

Eurodeputeti dhe raportuesi për RMV-në në Parlamentin Evropian Tomas Waitz mendon se ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar nuk janë zgjidhje dhe se diçka e tillë vështirë është të kalojë.

“Na duhet mundësi për garanci ligjore nga pala bullgare se pas përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë, nuk do të lindë asnjë kërkesë e re. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për siguri të tillë juridike. Dhe në këtë drejtim, Bashkimi Evropian është në anën e Maqedonisë dhe të gjithë këtë e presim nga Bullgaria. Ky do të jetë çelësi”, tha Waitz.

Eurodeputeti dhe raportuesi për RMV-në në Parlamentin Evropian Tomas Waitz.. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Eurodeputeti dhe raportuesi për RMV-në në Parlamentin Evropian Tomas Waitz.. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai tha se edhe pse Shqipëria ka filluar negociatat, RMV-ja ka bërë më shumë progres në implementimin e acquisit të BE-së.

“Shqipëria është goxha e shpejtë në rrugën e tyre dhe ata janë shumë të angazhuar, nuk janë aty ku jeni ju. Pra, nëse ne mund të zhbllokojmë negociatat, do të jeni përpara Shqipërisë. Ju në fakt keni parakushte të mira”, tha Waitz.

Megjithatë në këtë drejtim problematike mbetet mungesa e një qeverie politike në Bullgari.

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler dhe anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE tha se zyrtarët bullgarë në biseda private janë më fleksibilë se sa në paraqitjet publike, siç tha ata e dinë se duhet të veprojnë në mënyrë të orientuar drejt zgjidhjes,

“Kroacia i mbijetoi bllokadës nga Sllovenia dhe ata janë brenda (në BE) dhe të lumtur, unë mendoj se ju do t’i mbijetoni bllokadave të mëparshme nga Greqia që janë kapërcyer tashmë, dhe ne së bashku do të kapërcejmë aktualen me Bullgarinë, dhe sapo të jeni brenda, do të jeni gjithashtu të lumtur dhe do të harroni të kaluarën ku duhej të gëlltitje disa gjëra që vërtet nuk ju pëlqenin, por në fund ajo shijon më mirë brenda dhe të mos qëndrosh jashtë (Be-së)”, tha Gahler.

Sipas tij, RMV-ja mund të fillojë negociatat në 2025.

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler dhe anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler dhe anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Pesë vitet e fundit të shkuara kot për zgjerimin”

Nga ana tjetër, eurodeputeti austriak Andreas Schieder ishte i mendimit se pesë vitet e fundit të Komisionit Evropian ishin vite të humbura, pasi sipas tij gjërat nuk shkuan aq shpejt sa duhet lidhur me zgjerimin e BE-së.

Ai tha se Marta Kos do ta shtyjë këtë çështje të zgjerimit dhe mendoj se është e rëndësishme për BE-në.

“Do të thosha se është çështje shumë e ndërlikuar dhe gjëja dramatike është se Maqedonia e Veriut gjithmonë ballafaqohet me çështje të tilla. Ndryshimi i Kushtetutës do të ishte mënyra më e mirë për të arritur atë që populli i Maqedonisë së Veriut dëshiron dhe që është anëtarësimi në BE”, tha Schinder.

Ai mes tjerash shtoi se ndonjëherë politika e Maqedonisë së Veriut qëndron në rrugën midis Maqedonisë dhe BE-së, dhe që sipas tij kjo nuk duhet të ndodhë.

eurodeputeti austriak Andreas Schieder. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
eurodeputeti austriak Andreas Schieder. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

BE-ja duhet të angazhohet më shumë

zyrtar tjetër me të cilin biseduam u shpreh kritik ndaj BE-së dhe tha se duhet më tepër angazhim nga ana e tyre në shtetet të cilat kanë probleme në rrugën e tyre eurointegruese.

“Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen. Kur vjen puna te BE-ja, unë nuk jam një nga ata njerëz që thonë bëni detyrat e shtëpisë dhe do të shohim, jam kritik ndaj BE-së dhe shtewteve anëtare sepse besoj se ne duhet të bëjmë më shumë përveç se të japim detyra. Ka dallim midis asaj që t’i thuash dikuj ja detyrat dhe t’i thuash këto janë detyrat dhe më lër të të ndihmojë sa më shumë që kam mundësi”, tha ai.

Ai madje u shpreh kritik ndaj liderëve si Vlladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, që siç tha mundohen të ju thonë shteteve kandidate se BE-ja nuk ju do dhe se nuk do funksionojë për ju.

“Duhet të ua dëshmojmë të kundërtën”, tha ai.

Koalicioni qeveritar në RMV me qëndrime të ndryshme

Shpresat për ndryshimet kushtetuese deri në fund të këtij viti i ka shuar kryeministri Hristijan Mickoski. Ai ka thënë se nuk planifikohen ndryshimet kushtetuese të ndodhin deri në fund të vitit 2024.

Ndryshe nga kryeministri, partneri i tij në qeveri, njëri nga liderët e koalicionit VLEN dhe njëherit ministër i shëndetësisë Arben Taravari pret që deri në fund të vitit të ndodhin ndryshimet kushtetuese.

Pa ndryshime kushtetuese nuk ka BE

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.