Eurodeputeti bullgar Kovaçev dhe Vrabevski nuk u lejuan të hyjnë në Maqedoninë e Veriut

Eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, kryetari i Fondacionit bullgar “Historia Bullgare”, Milen Vrabevski dhe tre shtetas të tjerë bullgarë sot nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Maqedonisë në vendkalimin kufitar “Novo Sellë”. Për momentin nuk ka informacion zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për ndalimin e hyrjes së këtyre personave në vend, por pas kthimit të tyre nga kufiri, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare ka dalë me reagim, transmeton Radioja Kombëtare Bullgare.

MPJ-ja bullgare përmes një komunikate thotë se është e zhgënjyer nga vendimi i autoriteteve maqedonase që ta lënë në hije kremtimin e Shën Gjergjit që u organizua sot në Novosellë të Strumicës. Siç thonë ata, manifestimi tradicionalisht organizohet si përkujtim në varrezat ushtarake bullgare nga Ambasada Bullgare në Shkup, Konsullata Bullgare në Manastir dhe Fondacioni “Historia Bullgare”.

Autoritetet bullgare theksojnë në deklaratë se kërkojnë të paktën t’i jepet fund “provokimeve ndaj Bullgarisë, bullgarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve evropiane”. Ata do ta ngrenë çështjen e ndalimit të hyrjes së bullgarëve para autoriteteve maqedonase dhe partnerëve ndërkombëtarë, sepse mendojnë se ngjarjet kanë ndikim negativ në marrëdhëniet e mira fqinjësore.