Nga mesnata, heshtje parazgjedhore në Serbi para votimit të dielën

Heshtja zgjedhore në Serbi fillon sonte në mesnatë dhe do të zgjasë deri më 17 dhjetor në orën 20:00. Gjatë heshtjes zgjedhore, ndalohet publikimi i vlerësimit të rezultateve zgjedhore, prezantimi publik i kandidatëve dhe programeve parazgjedhore dhe thirrja e votuesve për të votuar ose jo për lista të caktuara, përmes mediave dhe tubimeve publike, transmeton Portalb.mk.

Të dielën mbahen zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe 65 për vetëqeverisje lokale, duke përfshirë edhe qytetin e Beogradit.

Shtetet e Bashkuara presin që zgjedhjet në Serbi të zhvillohen sipas rregullave, të kalojnë në një atmosferë paqësore dhe të ndershme, dhe qeveria e re në Beograd pritet të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me autoritetet në Prishtinë dhe rrugën drejt integrimit evropian, tha për Zërin e Amerikës James O’Brien, Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Evropën dhe Euroazinë.

“Populli serb do të votojë si të dojë. Presim që qeveria të respektojë marrëveshjet që ka bërë për Kosovën. Në muajt e fundit, ne kemi parë një përparim në këtë fushë. Disa nga çështjet kryesore të diskutueshme kanë filluar të zgjidhen – targat, doganat, formularët. Kjo duhet të vazhdojë kur qeveria e re të marrë detyrën, por ne duhet të shohim përparim të mëtejshëm”, tha ai.

Në Serbi, 6.500.165 votues të regjistruar do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare në 8.273 qendra votimi.

Të drejtë vote në zgjedhjet krahinore në Vojvodinë kanë 1.669.734 qytetarë, ndërsa në Beograd 1.613.190 votues.

Në zgjedhjet republikane, votuesit do të mund të zgjedhin nga 18 lista me gjithsej 2.817 kandidatë të propozuar për 250 mandate parlamentare.