Tetovë, punëtorët e NPK-së punojnë në ambient të tmerrshëm, nuk janë dislokuar siç paralajmëroi Kasami (Foto)

Punonjësit e “Higjienës Komunale” të NPK-së së Tetovës vazhdojnë të punojnë në kushte shumë të këqija dhe në objekt të cilit gati se është duke i rënë tavani. Pavarësisht se kreu i Komunës së Tetovës para një vit e gjysmë premtoi kushte më të mira pune për punëtorët e pastrimit madje paralajmëroi edhe dislokim të tyre, në terren situata mbetet kritike. Nga Komuna heshtin në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

Hapësirat ku qëndrojnë këta punëtorë janë larg çdo standardi jetësor.

21 janar 2022, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami vizitoi këto hapësira nga ku tha se do të angazhohen për të përmirësuar kushtet e tyre.

“Dislokimi i tyre mbetet një përgjegjësi e madhe e jona, me të vetmin qëllim krijimin e një vendi sa më të përshtatshëm dhe adekuat për punëtorët e Higjienës Komunale”, tha Kasami më 21 janar 2022.

Por, sot një vit e gjysmë më vonë, nuk ka përmirësim në hapësirat ku punojnë punonjësit e higjienës, dhe nuk janë dislokuar nga ky lokacion ende.

Portalb.mk vizitoi dje këto hapësira, ku pamjet janë shqetësuese dhe mund të shihen në fotografitë më poshtë.

Nga “Higjiena Komunale” shkurt gjatë qëndrimit tonë na njoftuan se presin që t’i largojnë kamionët jofunksional dhe të prishen hapësirat ku qëndrojnë të punësuarit dhe e njëjta më pas do të rregullohet, por pa dhënë detaje.

Për këtë zotim të Kasamit të bërë para një viti e gjysmë, pyetëm në Komunën e Tetovës, por nga atje nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Vizituam edhe hapësirat e “Parqe dhe Gjelbërime”, edhe atje hapësira ku qëndrojnë punonjësit është në kushte të këqija.

Ndryshe, përveç kushteve të rënda të punës, punonjësit e NPK-së janë me dy rroga minus, ndërkaq nga ndërmarrja u arsyetuan se kjo vjen për shkak të mos-pagesës së faturave nga ana e qytetarëve. Bllokimi i llogarisë së NPK-së vjen për shkak të borxhit të ndërmarrjes ndaj Drejtorisë së të Ardhurave Publike.