Punëtorët e Higjienës Komunale në Tetovë në protestë, nuk kanë marrë rroga disa muaj

Punëtorët e njësisë së “Higjienës Komunale” të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” sot protestuan për shkak të mos-marrjes së pagave për disa muaj dhe mungesës së sigurimit shëndetësor. Ata sot nuk dolën në terren për të mbledhur mbeturinat, raporton Portalb.mk.

Punëtorët shprehen të revoltuar pasi ky problem nuk zgjidhet me vite.

“Na vonohen rrogat, nuk kemi sigurim shëndetësor. Na janë në borxh tre-katër rroga. Nuk kemi sigurim shëndetësor, kush ka para mjekohet, kush nuk ka asgjë”, tha një punonjës.

“Nëse nuk na lëshojnë rrogat nuk do të dalim në terren. Kjo nuk është hera e parë. Nëse nuk ka rrogë, nuk ka mbledhje të mbeturinave. Kështu është vetëm në Tetovë, shkoni në Gostivar, Strugë, ku të doni kanë rroga, vetëm këtu nuk ka”, tha një punonjës tjetër.

Për këtë protestë reagoi Komuna e Tetovës, nga atje thonë se për të adresuar dhe zgjidhur sfidat dhe dështimin e ndërmarrjes së vjetër komunale, është vendosur formimi i dy ndërmarrjeve të reja, një ndërmarrje për menaxhim me mbeturinat dhe një për ujësjellës dhe kanalizim.

“Është e rëndësishme të theksohet se Komuna e Tetovës tashmë ka një kontratë e cila është nënshkruar me një operator privat dhe kjo kontratë, e cila hyn në fuqi nga data 1 dhjetor 2023 do të rezultojë në kalimin e punëtorëve nga ndërmarrja komunale te Ndërmarrja e re për menaxhimin e mbeturinave “OENEUM”. Me këtë ndryshim, të gjithë ata punëtorë do të marrin pagat e tyre në rregull, kurse Komuna e Tetovës ka marrë për obligim që të sigurojë pagesën e gjitha pagave të mbetura prapa për këta të punësuar”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ata shtuan se në ditën kur të gjithë po festojnë festën e flamurit, kjo protestë mund të jetë i motivuar politikisht.

“Prandaj, kërkojmë nga të gjithë të punësuarit nga NPK Tetova-Tetovë, të mos bien pre e çfarëdo lloj provokimi nga faktorë politik dhe të përqendrohen në bashkëpunim për zgjidhjen e çështjeve aktuale”, thanë nga Komuna.

Мë 1 dhjetor, Saubermaher” pritet të fillojë me punë

Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Kryetari i Komunës së Tetovës ka deklaruar se me këtë marrëveshje punëtorët nuk do të kenë vonesa në paga.

Sipas kontratës, partneri privat obligohet pas lidhjes së kontratës, nga NPK “Tetova” – Tetovë të pranojë së paku 100 persona (69 punëtorë teknikë dhe 31 punëtorë administrativë) për kryerjen e shërbimeve komunale dhe të lidhë kontrata pune me ta për kohë të pacaktuar në pajtim me ligjin për Marrëdhënie Pune, Ligjit për nëpunësit Administrativë dhe Ligjit për të punësuarit në Sektorin Publik.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që punëtorët e NPK-së protestojnë për vonesë të pagave, ata përballen me këtë problem tani e një kohë të gjatë. Krahas vonesave në paga, ata punojnë edhe në kushte të punës shumë të këqija.