Është iniciuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë për gjyqtarin Pajaziti, i cili i shqiptoi arrest shtëpiak Blerim Ramadanit

Është iniciuar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarit Pajazit Pajaziti nga Gjykata Themelore Penale Shkup, i cili i shqiptoi, pastaj ia zavendësoi burgun efektiv me arrest shtëpiak ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, pas së cilës ai u arratis nga shteti, raporton TV Telma.

Sipas burimeve të televizionit, kërkesë për inicimin e procedurës për kryerjen joprofesionale dhe të pakujdesshme të funksionit gjyqësor të Pajazitit ka bërë edhe anëtari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, ndonëse për momentin nuk ka konfirmim zyrtar nga Këshilli për shkak të fshehtësisë të procedurës.

Gjyqtari dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, ishte pjesë e komisionit që Këshilli e themeloi së fundmi për të shqyrtuar vendimet e Gjykatës Penale të Shkupit lidhur me paraburgimin e Ramadanit.

Këshilli Gjyqësor në fillim të këtij muaji miratoi raportin e grupit punues lidhur me vendimet e Penales për paraburgimin e Ramadanit. Raportin Kambovski e elaboroi para kolegëve të tij në Këshill. Lidhur me rastin me Blerim Ramadanin, ai tha se gjyqtari i procedurës paraprake në vendimin për caktimin e arrestit shtëpiak ka dhënë të njëjtat arsye për këtë masë, si edhe më parë kur ka caktuar masën e paraburgimit. Në vendim, siç ka thënë Kambovski, gjyqtari, emri i të cilit nuk është përmendur në seancë, nuk ka përcaktuar mënyrën se si njësitë kompetente sektoriale të MPB-së do ta kryejnë mbikëqyrjen.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçlj tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ramadani, sipas mediave kosovare, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.